Presidentja Osmani: Gjurmët e krimit nuk humben, viktimat e Krushës së Vogël, simbol i lirisë sonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e rivarrosjes së mbetjeve mortore të 7 të vrarëve në Masakrën e Krushës së Vogël, 23-vjet më parë ka theksuar se gjurmët e krimit nuk humben dhe se rivarrimi i sotëm e dëshmon këtë.
"Zbardhja e fatit të këtyre personave është lehtësim për familjet dhe për ne të gjithë, sepse paqja do të ketë kuptim kur do të dihet fati i secili nga afro 1600 të zhdukurit me dhunë", ka theksuar Presidentja Osmani. 

Sipas Presidentes Osmani, viktimat e varrosura sot janë dëshmi e barbarisë së pushtetit gjenocidal të Serbisë, synim i të cilit ishte shfarosja e shqiptarëve.

"Secili nga viktimat e Krushës së Vogël, por edhe kudo në Kosovë janë simbole të lirisë sonë, janë kujtesa jonë kolektive për rrugën deri te liria dhe shtetndërtimi", ka theksuar Presidentja Osmani.