Presidentja Osmani dhe ministri Vitia i uruan mirëseardhje mjekëve dhe stafit të organizatës amerikane “Gift of Life”

Presidentja e Republikës, dr. Vjosa Osmani – Sadriu, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, z. Arben Vitia, i uruan sot mirëseardhje mjekëve dhe stafit të organizatës amerikane “Gift of Life”, me mbështetjen financiare të të cilëve 30 fëmijë kosovarë, të cilët kanë probleme me zemër, do të trajtohen nga një ekip mjekësh amerikanë, italianë dhe kosovarë.

Presidentja Osmani ka thënë se humanizmi i kësaj organizate dhe i mjekëve është dhuratë jo vetëm për fëmijët tanë, por edhe  për familjet e tyre, si dhe për shtetin e Kosovës. 


Në vijim gjeni të plotë statusin e Presidentes Osmani:

 


Kur mbrohet e shëndoshet zemra e një personi, mbrohet jeta. Mbrohen frymëmarrjet, lëvizjet, mendja, idetë e aftësia për të punuar, vepruar, e kontribuar.


Bashkë me ministrin e shëndetësisë, z. Arben Vitia, i uruam sot mirëseardhje mjekëve dhe stafit të organizatës amerikane “Gift of Life”, me mbështetjen financiare të të cilëve 30 fëmijë kosovarë, të cilët kanë probleme me zemër, do të trajtohen nga një ekip mjekësh amerikanë, italianë dhe kosovarë.


Me stafin e “Gift of Life” ishte edhe Bleona që ndihmonte me përkthim.  Plot jetë e shumë dinamike, ajo është njëra nga fëmijët të cilës kohë më parë vet mjekët e “Gift of Life” i kishin dhuruar jetëgjatësinë përmes këtij programi.


Humanizmi i kësaj organizate dhe i mjekëve është dhuratë jo vetëm për fëmijët tanë, por edhe  për familjet e tyre, si dhe për shtetin e Kosovës.


Ky është misioni i parë i kësaj organizate që nga fillimi i pandemisë, por “Gift of Life” ka kryer tashmë pesë misione të tilla në Kosovë, në të cilat janë trajtuar qindra fëmijë kosovarë.


Falënderime të pafund për dr. Francesko Santoro, dr. Herbet Stern, dr. Ribera Santoro, z. Rob Raylman, drejtor i organizatës GOL, dr. Mazllum Belegu, udhëheqës administrativ i GOL për Kosovë, si dhe për stafin mjekësor vendor të udhëhequr nga dr. Bejiqi.


Përvojën nga miqtë tanë, shpresojmë ta bartim në Shërbimin Kardopediatrik në kuadër të ShSKUK-së, të cilin duhet ta kemi funksional brenda Kosovës. Gjersa, fëmijëve tanë, i uroj nga zemra shëndet e jetë të gjatë!