Presidentja Osmani: Beteja e 9 Prillit dëshmoi edhe për guximin dhe kontributin e grave për lirinë e vendit

Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani – Sadriu, ka kujtuar të rënët në Rakoc dhe të Lagjes së Re në Kaçanik.

Presidentja Osmani ka thënë se sot i kujtojmë me nder e respekt gjithë ato gra e burra, të cilët janë shtyllë e fuqishme e lirisë, pavarësisë dhe e shtetit tonë.


“Përveç tjerash, Beteja e 9 Prillit dëshmoi edhe për guximin dhe  kontributin e grave për lirinë e vendit”, ka theksuar Presidentja.



Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes dr. Vjosa Osmani – Sadriu:


22-vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal serb ia mësynë Rakocit dhe Lagjes së Re në Kaçanik. Në Betejën e 9 prillit të vitit 1999 për mbrojtjen e pragut të shtëpisë ranë 28 dëshmore e dëshmorë dhe 32 martirë.


Pjesëtarë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, të UÇK-së, e deshën lirinë dhe u flijuan për të. Sakrifica e tyre është testament historie për rrugën deri te liria.


Sot i kujtojmë me nder e respekt gjithë ato gra e burra, të cilët janë shtyllë e fuqishme e lirisë, pavarësisë dhe e shtetit tonë.


Përveç tjerash, Beteja e 9 Prillit dëshmoi edhe për guximin dhe  kontributin e grave për lirinë e vendit. Në altarin e lirisë, këtë ditë ranë: Lumnije Raka, Jehona Raka, Emsale Frangu, dhe Mukadeze Muhaxheri-Lika.


Qoftë i përjetshëm kujtimi për dëshmoret, dëshmorët e martirët!