Presidentja: Më 26 shtator të vitit 1991 rrugëtimi i Kosovës mori kahun e synuar ndër breza

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se tridhjetë vjetë më parë, përcaktimi politik i shprehur me Referendumin për pavarësi të Kosovës nga Serbia, ishte hapi përmbajtësor pas Deklaratës së 2 Korrikut, Kushtetutës së Kaçanikut dhe së fundi paraprijës i 17 shkurtit të vitit 2008.
“Më 26 shtator të vitit 1991, rrugëtimi i Kosovës mori kahun e synuar ndër breza, drejt bërjes shtet nën udhëheqjen e urtë të presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova”, ka thënë Presidentja Osmani.

Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:

Tridhjetë vjetë më parë, përcaktimi politik i shprehur me Referendumin për pavarësi të Kosovës nga Serbia, ishte hapi përmbajtësor pas Deklaratës së 2 Korrikut, Kushtetutës së Kaçanikut dhe së fundi paraprijës i 17 shkurtit të vitit 2008.

Më 26 shtator të vitit 1991, rrugëtimi i Kosovës mori kahun e synuar ndër breza, drejt bërjes shtet nën udhëheqjen e urtë të presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova.

Në këtë përvjetor, i kujtojmë me respekt të gjithë ata që organizuan Referendumin, një nga ngjarjet, e cila i vuri themelet e para të shtetit të Kosovës!

E tashmja nuk ka kuptim pa e kujtuar të kaluarën, pa e hedhur vështrimin prapa në rrugën në të cilën kemi ecur, duke njohur njëkohësisht kontributin e shumë burrave e grave të këtij vendi për shtetin që e kemi sot!