Presidentja Jahjaga vizitoi QKUK-në dhe Qendrën Operative në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në natën e ndërrimit të moteve, ka vizituar Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, si dhe Qendrën Operative në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Në Klinikën e Gjinekologjisë, ku u prit nga drejtoresha Myrvete Paçarada, Presidentja Jahjaga e vizitoi Edi Zogajn, fëmijën e parë të lindur në vitin 2013 në këtë klinikë.

E urova nënën për lindjen e fëmijës në këtë natë të vitit të ri, nënës dhe Edit të vogël i dëshirova një jetë të gjatë, të shëndetshme dhe të lumtur me shumë begati, tha në një deklaratë Presidentja Jahjaga.

Presidentja i uroi vogëlushit të kalojë një fëmijëri por edhe një jetë afër dashurisë prindërore familjare, të ketë një të ardhme të suksesshme dhe një të ardhme me plot të mira për të dhe për mbarë familjen e tij, por edhe për të gjithë rrethin.

Gjithashtu, Presidentja Jahjaga përgëzoi stafin e Qendrës Klinike Universitare, Klinikën Gjinekologjike të Prishtinës dhe të gjithë personelin e shërbimeve shëndetësorë, të cilët gjithmonë japin shërbime të mira, kualitative dhe janë pranë të gjithë qytetarëve tanë në ofrimin dhe në sigurimin e shëndetit publik.

Në vijim, Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vizitoi Qendrën Operative në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Udhëheqësi i kësaj qendre, Ali Kllokoqi, e njoftoi Presidenten Jahjaga për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend gjatë natës së ndërrimit të moteve.

Presidentja Jahjaga u uroi pjesëtarët e Policisë në këtë qendër, por edhe gjithë policët e tjerë në detyrë, si dhe të gjithë ata që natën e Vitit të Ri e kanë kaluar në vendet e tyre të punës, duke u dëshiruar atyre një vit të mbarë dhe duke i falënderuar ata që edhe në këtë natë të veçantë punojnë në shërbim të qytetarëve.