Presidentja Jahjaga vizitoi Panairin e Produkteve Bujqësore

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vizitoi sot Panairin e Produkteve Bujqësore, i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK).

E shoqëruar nga kryetari i OEK-ut, Safet Gerxhaliu, bisedoi me shumë përfaqësues biznesesh dhe ndërmarrjesh që kanë ekspozuar prodhimet e tyre në këtë panair, i cili është hapur më 5 tetor dhe qëndron i hapur deri nesër.

Presidentja Jahjaga inkurajoi prodhuesit vendorë që të vazhdojnë punën e tyre dhe ta zgjerojnë gamën e prodhimeve. Ajo gjithashtu theksoi se ata përveç prodhimit për nevojat e konsumit vendor, të prodhojnë edhe për tregjet jashtë Kosovës, në rajon e më gjerë, ku prodhimet kosovare mund të depërtojnë me sukses.

Ajo tha se bizneset kanë përkrahjen e saj dhe të institucioneve të vendit. Ajo përkujtoi se gjatë vizitës së fundit në Bruksel, një nga kërkesat e saj ishte që të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes preferenciale për Kosovën, në mënyrë që prodhimet e Kosovës të mund të dalin në tregun e Evropës.

Ne duhet të fokusohemi në zhvillimin ekonomik, në mënyrë që, me përkrahjen e institucioneve të vendit, Kosova të arrijë të depërtojë sa më shpejt në tregun evropian, tha ndër të tjera Presidentja Atifete Jahjaga.