Presidentja Jahjaga uroi Dodë Gjergjin, Ipeshkv i Kosovës
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka uruar me rastin e Festës së Pashkëve Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.Në urim thuhet:
Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Republikës së Kosovës
Imzot Dodë Gjergji
I nderuari Ipeshkv i Kosovës:
Për shumë mot Pashkën me urimet dhe dëshirat më të mira për Juve dhe për besimtarët katolikë si dhe për mbarë popullin e Kosovës.
Festa e Ringjalljes është besimi në njeriun, në veprën hyjnore, është vet dashuria, nderimi dhe respekti për njeri-tjetrin, për të gjitha Krijesat e Zotit dhe për jetën e amshueshme.
Në Ditën e Pashkëve kujtojmë martirët që u sakrifikuan për fe dhe atdhe, për lirinë e dinjitetin e njeriut, për rrugën evropiane të popullit të Kosovës.
Urojmë popullin e Republikës së Kosovës që Pashkët ti kalojnë me familjarët, me miqtë dhe me dashamirët, në harmoni, gëzime, në begati dhe në ndihmë e përkujdesje të njeri-tjetrit.
Zonja Atifete Jahjaga
Presidente e Republikës së Kosovës