Presidentja Jahjaga u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga takoi sot Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, zotëri Anders Fogh Rasmussen.

Sekretari i NATO-s, Rasmussen, e vlerësoi vizitën e Presidentes Bruksel dhe takimet e saj me zyrtarët e lartë evropianë, si të mirë dhe të frytshme në prezantimin e qartë të çështjeve aktuale dhe të vizionit të Kosovës.
 
Ai tha se forca paqeruajtëse e NATO-s, KFOR, vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë dhe vlerësoi punën e saj në kryerjen e mandatit.
 
Zotëri Rasmussen tha se NATO-ja ishte e shqetësuar me situatën e krijuar në veriun e Kosovës, por mirëpriti shtendosjen e saj në javët e fundit. Ai tha se NATO i jep mbështetje të fuqishme komandantit të KFOR-it dhe vlerësoi se marrëveshja e mirëkuptimit e arritur me palët e ka qetësuar situatën.
 
Sekretari i NATO-s tha se është me rëndësi gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe u angazhua për një progres më të madh në terren. Ai tha se ndarja e Kosovës nuk është zgjidhje.
 
Zotëri Rasmussen tha se përkushtimi i institucioneve të Kosovës për integrimin e komuniteteve është i një rëndësie të madhe për të ardhmen e vendit. Ai e vlerësoi si të rëndësishëm dhe të dobishëm dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja.
 
Sekretari i Përgjithshëm, Rasmussen tha se NATO do të vazhdojë që të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe do ta përcjellë me kujdes të ardhmen e kësaj force.
 
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, tha se forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë është institucioni më i vlerësuar dhe më i respektuar, që kontribuon në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.
 
Presidentja Jahjaga tha se aksioni i Policisë së Kosovës, në pikat kufitare 1 dhe 31 ishte sipas vendimit të Qeverisë për zbatimin e masave të reciprocitetit dhe ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Ajo tha se kontrolli në gjithë kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të parandalimit të kalimit ilegal dhe kontrabandës, dëshmon përkushtimin e shtetit të Kosovës për të kontrolluar tërësinë territoriale dhe sovranitetin e saj. Ajo tha se vazhdimi i gjendjes së para 25 korrikut, në veri të Kosovës, do të linte pasoja për të dyja vendet dhe për gjithë rajonin.
 
Presidentja e Republikës së Kosovës tha se institucionet e vendit janë të përkushtuara për të normalizuar gjendjen dhe e vlerësoi arritjen e marrëveshjes të ndërmjetësuar nga KFOR-i.
 
Presidentja Jahjaga tha se ndarja e Kosovës nuk është zgjidhje dhe theksoi se Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë duhet që ta formësojnë të ardhmen e tyre në BE, si dy shtete të pavarura.
 
Ajo tha se integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike është shumë i rëndësishëm për vendin dhe theksoi se të gjithë qytetarët e Kosovës janë të orientuar drejt integrimit në BE. Presidentja theksoi se me gjithë faktin që shtetin e Kosovës ende nuk e kanë njohur katër vende të NATO-s duhet të gjendet modaliteti që Kosova  të marrë pjesë në Partneritetin për Paqe të NATO-s..
 
Presidentja e Republikës së Kosovës vlerësoi ndihmën e NATO-s në përgatitjen dhe aftësimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në përmbushjen e Kapaciteteve të Plota Operacionale dhe tha se FSK do të duhej të merrte pjesë në nismat dhe misionet e NATO-s në rajon dhe botë.
 
Në takim, i cili ishte i mbyllur për media, u diskutuan edhe një varg çështjesh të tjera.
 
Në të gjitha takimet gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, Presidentja Jahjaga u shoqërua nga ambasadori i Republikës së Kosovës, z.Ilir Dugolli.