Presidentja Jahjaga u takua me Presidentin e Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u takua sot me Presidentin e Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, në kuadër të vizitës zyrtare në Bruksel.

Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Rompuy biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë, për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti të Kosovës, për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Të dy bashkëbiseduesit folën edhe për marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Kosovës, përfshirë edhe përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave si dhe të studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit si dhe për praninë e misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës..

Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Rompuy theksuan perspektivën e qartë evropiane të Kosovës dhe të gjithë rajonit të Ballkanit. Presidenti Rompuy vlerësoi lartë angazhimin e Presidentes Jahjaga për ndërtimin e konsensusit të brendshëm dhe për promovimin e të ardhmes evropiane të Kosovës. Presidenti Rompuy konfirmoi perspektivën evropiane të Kosovës dhe vlerësoi se viti 2012 është një vit produktiv në marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

Ai tha se Kosova po bën përparime në rrugën e saj drejt BE-së por theksoi nevojën e thellimit të reformave në agjendën evropiane, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit, reformën e administratës publike, atë zgjedhore dhe integrimin e komuniteteve.

Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Rompuy dhanë deklarata për shtyp pas përfundimit të takimit. Po e japim në tërësi deklaratën e Presidentes Jahjaga.

I nderuari President Rompuy,

Të nderuar gazetarë,

Ne sot kishim një bisedë shumë të frytshme dhe përmbajtësore me Presidentin Rompuy. Patëm pajtueshmëri të plotë për vlerësimin e rrugës së deritashme të Republikës së Kosovës  për integrim në Bashkim Evropian. E falënderova zotin Ropmpuy për përkushtimin e tij dhe të vendeve të BE-së për përkrahjen e qartë dhënë Kosovës, që megjithë mosnjohjen e pavarësisë së saj nga pesë vendet anëtare të BE-së, nuk është vënë asnjëherë në mëdyshje synimi dhe shansi që Republika e Kosovës në periudhën e ardhshme të bëhet vend me të drejta të plota i BE-së. 

Kjo është në harmoni me strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian që përcakton që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë perspektivën e qartë evropiane.

Që prej vizitës sime në shtator të vitit të kaluar, Republika e Kosovës ka bërë përparime në agjendën e saj evropiane. Kemi marrë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave dhe shpresojmë se së shpejti qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së sepse qytetarët e Kosovës janë të vetmit nga e gjithë Evropa që nuk e gëzojnë këtë të drejtë. Kemi marrë Studimin e Fizibilitetit për Marrëveshjen e Asociim Stabilizimit dhe institucionet e Kosovës dhe të gjithë qytetarët janë të përkushtuar që të përmbushin të gjitha obligimet dhe të përshpejtojnë procedurat.

Republika e Kosovës me vlerësimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar, në shtator do të përmbyllë suksesshëm fazën e mbikëqyrjes së pavarësisë së saj. Është ky një sukses i përbashkët i qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës dhe i misioneve ndërkombëtare, që dhanë ndihmë të pakursyer që nga çlirimi i Kosovës në vitin 1999. Jemi duke i bërë ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore që deri në shtator të gjitha obligimet të kalojnë në institucionet vendore duke dhënë të gjitha garancitë e nevojshme për të drejtat dhe liritë e komuniteteve, për trashëgiminë kulturore, historike e fetare si dhe proceset demokratike në përgjithësi, që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes, lirinë e lëvizjes, qarkullimin e lirë të mallrave dhe kapitalit, si dhe ndarjen e pushteteve e pavarësinë e gjyqësorit.

Republika e Kosovës është shtet demokratik, shtet i ndërtuar mbi parimin qytetar, ku të gjithë qytetarët pavarësisht nga përkatësia etnike dhe fetare dhe pavarësisht numrit i gëzojnë të drejtat e liritë e barabarta në të gjithë territorin e saj. Me procesin e decentralizimit nga 38 komuna 10 komuna janë me shumicë etnike serbe, ndërsa një me shumicë etnike turke dhe në këto komuna kemi bartur kompetenca që sigurojnë një vetëqeverisje të gjerë. Tri komunat në veri të Kosovës ende nuk e kanë përqafuar këtë proces, por po bëjmë përpjekje që deri në zgjedhjet e ardhshme komunale të tria këto komuna të përfshihen në sistemin e qeverisjes duke shfrytëzuar të drejtat që u jep Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.

Me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel është duke u zhvilluar dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Deri tani janë arritur shtatë marrëveshje që lehtësojnë jetën e qytetarëve në të dyja anët e kufirit dhe relaksojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona. Nuk jemi të kënaqur me zbatimin e këtyre marrëveshjeve dhe kemi kërkuar nga BE-ja që të gjejnë mekanizmat për mbikëqyrjen dhe garantimin e zbatimit të këtyre marrëveshjeve.

Ne presim nga Republika e Serbisë që të normalizojë dhe të vendos marrëdhënie normale fqinjësore me Republikën e Kosovës, sepse kjo është në interes të dy vendeve tona dhe të qytetarëve tanë. Ky është një faktor paqeje dhe stabiliteti, që ndikon drejtpërdrejt në shpërbërjen e strukturave paralele dhe eliminimin e strukturave kriminale në tri komunat në veri të territorit të Kosovës. Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e vetmja rrugë që ne t’i gjejmë zgjidhjet për të gjitha çështjet dhe që bashkërisht duke i ndihmuar njëri tjetrit të ecim drejt integrimeve euro-atlantike.

Edhe njëherë Presidenti Rompuy ju falënderoj për përkushtimin tuaj dhe të gjithë institucioneve të BE-së që po jepni perspektivë të qartë popullit dhe vendit tim për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për këtë vizion kemi konsensus të përgjithshëm politik, nacional dhe të të gjithë qytetarëve sepse ne të ardhmen tonë e shohim brenda BE-së.