Presidentja Jahjaga u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme të Singaporit, K. Shanmugam

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u takua sot në New York me ministrin e Punëve të Jashtme të Singaporit zotëri K.Shanmugam me të cilin bisedoi për procesin e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare.

Presidentja Jahjaga e njoftoi ministrin e Jashtëm të Singaporit për të arriturat e Kosovës në ndërtimin e një shteti gjithëpërfshirës, që promovon paqen dhe stabilitetin në Rajon si dhe fqinjësinë e mirë me të gjitha vendet. Ajo tha se Kosova në gjashtë vjet të pavarësisë së saj është njohur nga 108 vende të botës dhe synimi e përpjekja e saj është anëtarësimi në të gjitha organizatat ndërkombëtare, para së gjithash në OKB. Ajo tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Singapori do të ndihmonte në konsolidimin ndërkombëtar të vendit dhe gjithashtu do të hapte perspektivën e saj në rajonin e Azisë Juglindore.
 
Ministri i jashtëm i Singaporit, zotëri K.Shanmugam i vlerësoi të arriturat e Kosovës dhe theksoi rëndësinë e arritjes së marrëveshjeve në kuadër te dialogut me Serbinë që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ai tha se Singapori vlerëson pozitivisht zhvillimet në Kosovë duke theksuar edhe shqyrtimin e mundësisë për njohjen e Kosovës, në kuadër të një procesi që kërkon më shumë kohë.