Presidentja Jahjaga u takua me me kryesuesen e nënkomitetit të Senatit të SHBA-së për Evropë, senatoren Jeanne Shaheen

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u takua në Washington me kryesuesen e nënkomitetit të Senatit të SHBA-së për Evropë, senatoren Jeanne Shaheen.

Presidentja Jahjaga dhe senatorja Shaheen biseduan për zhvillimet në Kosovë, proceset nëpër të cilat po kalon vendi dhe sfidat e tij si dhe për rolin që forcat e NATO-s luajnë për sigurinë në Kosovë dhe gjithë rajonin. Presidentja Jahjaga theksoi se SHBA-ja ka luajtur një rol të madh në çlirimin e Kosovës dhe në të gjitha fazat e shtet ndërtimit të saj.

Ajo tha se Kosova është shtet i pavarur me integritet të garantuar territorial dhe shtet i qytetarëve të barabartë pa dallim etnie. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova po e përfundon me sukses fazën e mbikëqyrjes së pavarësisë së saj dhe vlerësoi se prania ndërkombëtare ushtarake e NATO-s është e nevojshme edhe më tutje për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt. Kjo ndikon edhe ne gjendjen në tri komunat në veriun e Kosovës 

Institucionet e Kosovës e mbështesin KFOR-in në vendosjen e rendit dhe të qetësisë në këtë pjesë të vendit, ku strukturat ilegale dhe kriminale, të përkrahura nga Republika e Serbisë, po sfidojnë të arriturat dhe institucionet e vendit dhe po mbajnë peng popullatën lokale serbe.

Presidentja Jahjaga theksoi se kërkohet nga popullata lokale serbe që të distancohet nga strukturat ilegale dhe të heqin barrikadat në rrugë për të mundësuar qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe të mallrave si dhe të integrohen në institucionet lokale dhe qendrore të Republikës së Kosovës.

Senatorja Shaheen i dha përkrahje zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës, rrugës së integrimeve euroatlantike dhe zhvillimit të proceseve demokratike.