Presidentja Jahjaga u prit nga gjenerali Timothy Orr dhe nga prefektja e qytetit Johnston, zonja Paula Dierenfeld

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit në SHBA, është pritur nga gjenerali Timothy Orr, në Selinë e Forcave të Përbashkëta, në kampin ushtarak Dodge të Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe nga prefektja e qytetit Johnston, zonja Paula Dierenfeld. Presidentja Jahjaga gjatë vizitës në Iowa po shoqërohet nga ambasadori i Republikës së Kosovës në SHBA, zotëri Akan Ismajli dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, zotëri Christopher Dell.

Në pritjen e  organizuar për nder të Presidentes Jahjaga, gjenerali Orr theksoi se Garda Kombëtare e SHBA-së në Iowa ka  një partneritet shtetëror me Republikën e Kosovës, që daton prej vitesh. Ai tha se Garda Kombëtare po e ndihmon Forcën e Sigurisë së Kosovës për përmbushjen e Kapaciteteve të saj Operacionale dhe i vlerësoi marrëdhëniet me Kosovën sit ë shkëlqyeshme. Ai tha se është me rëndësi që të zgjerohet dhe të forcohet partneriteti me Kosovën.

Ndërkaq, prefektja e qytetit të Johnston-it në Iowa, zonja Paula Dierenfeld theksoi se “është hera e parë që një president i një vendi të huaj ta vizitojë këtë vend dhe posacërisht kampin ushtarak të Gardës Kombëtare dhe kjo shënon një lidhje të fuqishme që ka kjo Gardë dhe qyteti me Kosovën”. Ajo tha se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Iowa-s duhet të fuqizohet edhe më shumë.

Duke falënderuar gjeneralin Orr dhe zonjën Dierenfeld për pritjen shumë të ngrohtë, Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, theksoi se SHBA-ja është një partner dhe mik i madh i Republikës së Kosovës dhe gëzon respektin nga të gjithë qytetarët për ndihmën e jashtëzakonshme që ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Presidentja Jahjaga tha se pas përfundimit të periudhës së luftës dhe procesit të rindërtimit, institucionet e Kosovës së bashku me partnerët ndërkombëtarë po ndërtojnë një shtet demokratik, të ndërtuar mbi parimet qytetare, që aspiron anëtarësim në BE dhe në NATO. Presidentja Jahjaga tha se Republika e Kosovës ka vendosur marrëdhënie shumë të mira me Gardën Kombëtare të SHBA-së në Iowa dhe synon që ta ngris këtë bashkëpunim në nivel më të lartë.

“E shfrytëzova vizitën time në Shtetet e Bashkuara të Amerikës  që t’i bëjë një vizitë edhe shtetit të Iowa-s sepse ne, Kosova, kemi një bashkëpunim të mirë me ju, sidomos në fushën e sigurisë në trajnimin dhe aftësimin e pjesëtarëve tanë të Forcës së Sigurisë të Kosovës, për misione të ndershme humanitare të shpëtimit, të deminimit dhe të ndihmës përgjithësisht të popullsisë, në situatat emergjente, apo gjatë fatkeqësive natyrore që po na ndihmon shumë që vajzat dhe djemtë tanë të jenë të aftë profesionalisht dhe të përkushtuar, të mbushur me dije dhe me përvojë, për t’i shërbyer popullit dhe vendit”, tha Presidentja Jahjaga.

Ajo tha se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Iowa-s duhet të thellohet më tutje përmes binjakëzimit të qyteteve dhe shkëmbimit të përvojave dhe programeve mes tyre.
“Kjo ndërlidhje e jona duhet të vazhdojë përmes binjakëzimit të qyteteve tona, të Iowa-s dhe atyre të Republikës së Kosovës, për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin tonë të ngushtë. Kjo do të ndihmonte në shkëmbimin e vizitave, të përvojave tona dhe të programeve të caktuara ndërmjet tyre”, tha Presidentja Jahjaga.

Gjatë qëndrimit në Iowa, Presdientja Jahjaga ka vizituar edhe Universitetin e Iowa-s ku është takuar me drejtuesit e tij me të cilët ka diskutuar për mundësinë e vendosjes së bashkëpunimit në nivel universitar dhe më pastaj ka vizituar Qendrën për Energji Alternative - centralin elektrik të erës si dhe Qendrën për Hulumtime të Hortikulturës.