Presidentja Jahjaga takoi z. Soren Jessen-Petersen

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, takoi sot ish-Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Soren Jessen-Petersen.

Në një bashkëbisedim miqësor, zoti Jessen-Petersen e përgëzoi presidenten Jahjaga për punën e saj dhe vlerësoi se ajo është personi i duhur në momentin, kohën dhe vendin e duhur.
 
Ai tha se Presidentja Jahjaga erdhi në krye të vendit në kohën kur siç tha, “ne mendonim se imazhi i Kosovës ishte rrënuar, posaçërisht pas raportit të Dick Marty-t, por u gjet zgjidhja më e mirë për Kosovën për faktin se jeni jopartiake, se jeni femër dhe faktor uniteti”.
 
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, i shprehu mirënjohje zotit Jessen-Petersen për kontributin dhënë çështjes së Kosovës, duke e konsideruar si një nga miqtë e vendit. Ajo e njoftoi se do të krijojë Grupin “Miqtë e Kosovës” pranë Presidentes, ku do të marrin pjesë figurat e shquara ndërkombëtare që do të lobojnë dhe do të punojnë për imazhin e vërtetë të Kosovës.