Presidentja Jahjaga takoi sekretaren amerikane të shtetit, zonjën Hillary Clinton

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, takoi sekretaren amerikane të shtetit, zonjën Hillary Clinton. Presidentja Jahjaga dhe sekretarja amerikane e shtetit Clinton biseduan për çështjet aktuale në Kosovë dhe rajon, sidomos për proceset e integrimeve euro-atlantike.

Me këtë rast Presidentja Jahjaga e falënderoi sekretaren amerikane të shtetit zonjën Hillary Clinton për ndihmën e vazhdueshme që SHBA-ja po i jep Kosovës.
 
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga dhe sekretarja e shtetit e SHBA-së, zonja Hillary Clinton, nënshkruan një marrëveshje ndërshtetërore për Ruajtjen e Objekteve të Posaçme në Kosovë. 
 
Presidentja Jahjaga dhe sekretarja e shtetit, Clinton më pas dhanë deklaratë për shtyp, të cilat po i botojmë në tërësi:
 
E nderuara Sekretare Clinton,
 
Nënshkrimi i Marrëveshjes për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Pronave të Caktuara Kulturore është një akt i fuqishëm simbolik dhe pjesë e lidhjes së fuqishme dhe miqësisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
 
Shtet e Bashkuara të Amerikës janë përkrahësi dhe aleati më i fuqishëm i Kosovës. Zonja Sekretare, ju dhe populli amerikan gjithmonë keni qëndruar afër nesh në periudhat më të vështira për ne – në arritjen e lirisë dhe tani në procesin tonë të shtet-ndërtimi.

Sot Kosova është shoqëri shumetnike dhe gjithëpërfshirëse, ku të gjitha komunitetet etnike jetojnë në paqe dhe liri. Qasja jonë është të ndërtojmë marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit dhe Kosova e ka vendosur veten si faktor stabiliteti në Ballkan.
 
Kosova është shtet i ri me histori të gjatë. Ne kemi trashëgimi kulturore të pasur që ka mbijetuar nëpër shekuj. Kjo e kaluar, e shprehur në vlerat arkitektonike, në objektet e kulti dhe monumente fetare, dëshmon se ne kemi jetuar së bashku me shekujt dhe kemi respektuar trashëgimin e njëri tjetrit si vlerë të përbashkët.
 
Kjo marrëveshje mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve te Bashkuara të Amerikës është edhe një testament për përkushtimin tonë ndaj tolerancës kulturore dhe multikulturalizmit dhe përqafimit të diverzitetit të pjesëtarëve të shoqërisë tonë, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare apo racore.
 
Vlerat dhe idealet amerikane janë inspirim për ne, dhe me dëshirë mirëpresim zbatimin e përbashkët të kësaj marrëveshje për të ruajtur edhe më tej trashëgimin tonë kulturore.
 
Ju faleminderit!
 
Deklarata e sekretares amerikane te shtetit, Hillary Clinton,
 
E mirëpres Presidenten Jahjaga këtu në Departamentin e Shtetit. Kam patur rastin që ta takoj edhe në këtë kaluarën, në shtator të këtij viti, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe kam kënaqësinë gjithnjë kur më jepet mundësia të konsultohemi dhe të diskutojmë çështjet e  rëndësishme për të dyja vendet tona.

Për kryesuesin Warren Miller dhe anëtarët e tjerë të Komisionit për  Ruajtjen e Trashëgimisë amerikane nëpër botë, dhe gjithashtu edhe ambasadorin e Kosovës në SHBA, kjo është një marrëveshje vërtetë e rëndësishme të cilën po e nënshkruajmë sot, sepse SHBA-ja ka një interes të posaçëm për të ndihmuar në ruajtjen e trashëgimisë gjithandej në botë, sepse shumica dërmuese e amerikanëve janë imigrantë dhe pasardhës të imigrantëve. Prandaj puna e këtij Komisioni ka një rëndësi të madhe për ne.

Së pari, dua të them një gjë për Presidenten. Ashtu siç kam bërë vazhdimisht, I kam shprehur në emër të SHBA-së mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme të vendit tonë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Presidenti Obama dhe unë jemi të përkushtuar që të sigurojmë se e ardhmja që Kosova po mundohet ta krijojë është jashtëzakonisht e rëndësishme së pari për njerëzit e Kosovës por poashtu edhe për njerëzit e rajonit.

Unë e përshëndes vendimin e BE-së më herët gjatë këtij muaji që ne shpresojmë se ndihmon në hapjen e rrugës për integrimin e vazhdueshëm të Kosovës në BE. Kjo marrëveshje të cilën po e nënshkruajmë i përkushton të dyja vendet tona për ruajtjen, pa diskriminim, të trashëgimisë kulturore të grupeve kombëtare, fetare e etnike që ishin viktima të gjenocidit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Tani e dimë nga përvoja se masat e këtilla japin rezultat. Kjo do të jetë marrëveshja e 24 e SHBA-së për ruajtjen e trashëgimisë kulturore  dhe në vendet që nga Estonia në Itali, kemi parë rezultate konkrete. Dyzet vjet më parë SHBA-ja ishte shteti I parë në botë që ratifikoi Konventën Botërore të Trashëgimisë dhe jemi krenarë që e kemi vazhduar punën përgjatë viteve. Përkushtimi ynë është që të ruajmë gjithë trashëgiminë kulturore në Kosovë: të krishterë, myslimane, hebreje, serbe, shqiptare. Jemi të përkushtuar që t’ju ndihmojmë në ruajtjen e saj.

E kam parë vetë një prej thesarëve kulturorë, Manastirin e Graqanicës, një objekt Ortodoks Serb që daton nga shekulli 14, por ai është vetëm një nga shumë objekte të tilla. Është thelbësore që përderisa Kosova po ndërton një shoqëri plurale, një shtet që garanton të drejtat qytetare, të drejtat e barabarta për të gjithë qytetarët e saj, që të gjitha këto objekte të ruhen për qytetarët e Kosovës dhe të Ballkanit, dhe për të gjithë te tjerët në botë që ndajnë këto pasuri.

Prandaj ky është një hap tjetër në rrugën drejt një Kosove të përparuar, të pavarur e shumëkombëshe, ku institucionet demokratike janë të forta dhe mundësitë janë të shumta, dhe ku mendoj se Presidentja ka vendosur diskursin e duhur duke dhënë një vizion se çfarë mund të bëhet Kosova.

SECRETARJA CLINTON: Faleminderit shumë zonja Presidente.

PRESIDENTJA JAHJAGA: Faleminderit.

Presidentja Jahjaga dhe sekretarja Clinton u përgjigjën edhe në pyetjen për lejimin e hyrjes së një konvoji me ndihma humanitare nga Rusia në Kosovë, për në veri të Kosovës

PRESIDENTJA JAHJAGA: Ka rregulla dhe norma që duhet të respektohen. Janë edhe konventat ndërkombëtare dhe ligjet e Kosovës për çështjet e shpërndarjes së ndihmave humanitare. Ne do të respektojmë të gjitha konventat ndërkombëtare, Kushtetutën e Kosovës dhe vendimet e administratës në këtë proces.

SECRETARJA CLINTON: E mbështes plotësisht atë që tha Presidentja. Të shtoj se ne kemi verifikuar me OKB-në dhe me të tjerët. Ata nuk kanë raportuar për asnjë krizë humanitare ose nevojë. Do të bënim thirrje që qytetarët e Kosovës, në veçanti në veri, të punojnë së bashku. Sipas Kushtetutës së Kosovës ata I kanë të drejtat e barabarta dhe të drejtat qytetare. Sa më shpejtë që të integrohen të gjithë qytetarët e Kosovës në një shtet të përbashkët aq më e mundshme do të bëhej një lloj e ardhme të cilën po e kërkon Presidentja për të gjithë qytetarët.