Presidentja Jahjaga takoi komandantin suprem të NATO-s për Evropë, admiralin James Stavridis

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga takoi sot komandantin suprem të NATO-s për Evropë, admiralin James Stavridis.

Presidentja Jahjaga fillimisht ka dënuar sulmin e djeshëm me granatë në afërsi të fshatit Bërnjak, komuna e Zubin Potokut, me ç’rast u lëndua një ushtar i KFOR-it.

Ajo ka vlerësuar se sulmi ndaj paqeruajtësve të KFOR-it është i papranueshëm dhe i patolerueshëm dhe paraqet edhe një përpjekje të strukturave ilegale dhe kriminale serbe për të penguar sundimin e rendit dhe ligjit në tri komunat veriore të Kosovës.

Duke vlerësuar se veriu mbetet sfida kryesore për institucionet e Kosovës, Presidentja e Republikës së Kosovës ka shprehur mbështetje të fuqishme për aksionin e forcave paqeruajtëse të NATO-s për heqjen e barrikadave dhe krijimin  e kushteve për lëvizjen e  lirë të qytetarëve dhe mallrave në gjithë territorin e Republikës.
 
Në këtë kontekst, Presidentja Jahjaga ka theksuar se  trupat e KFOR-it duhet të rrisin vigjilencës gjatë periudhës së hapjes së zyrës administrative të Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën veriore.
 
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga me komandantin suprem të NATO-s për Evropë, admiralin Stavridis, ka biseduar edhe për të ardhmen e  FSK-së duke u përqendruar në arritjen sa më të shpejtë të kapaciteteve të plota operacionale.
 
Presidentja Jahjaga ka falënderuar NATO-n për kontributin e tyre 13 vjeçar në Kosovë, si faktor paqeje dhe stabiliteti për gjithë rajonin.
 
Admirali Stavridis e ka siguruar presidenten Jahjaga që NATO-ja do të mbetet e përkushtuar në krijimin e mjedisit të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ai po ashtu e ka njoftuar Presidenten Jahjaga se nuk është paraparë zvogëlim i numrit të ushtarëve në KFOR-it në Kosovë që janë të gatshëm të përmbushin misionin e tyre.
 
Admirali Stavridis theksoi se institucionet e Kosovës janë në rrugë të mbarë me gjithë punën dhe angazhimin e tyre në realizimin e synimeve për integrimet euroatlantike.