Presidentja Jahjaga priti sekretarin e shtetit në MPJ të Hungarisë z. Zsolt Nemeth

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim sekretarin e shtetit në MPJ të Hungarisë z. Zsolt Nemeth.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova për 13 vjet rresht ka promovuar paqen dhe stabilitetin në rajon, duke pasur parasysh gjithnjë se vizioni i saj për të ardhmen është integrimi në BE dhe në NATO.

Në këtë kuadër, Presidentja Jahjaga, përpos mirënjohjes për mbështetjen e Hungarisë për zhvillimet në Kosovë, theksoi rëndësinë e vazhdimit të ndihmës dhe përkushtimit të këtij vendi mik, që Kosova sa më parë të plotësojë të gjitha kriteret demokratike për integrim në familjen evropiane bazuar në përvojat dhe ekspertizën hungareze.
 
Presidentja Jahjaga theksoi se prej sot Kosova po hap një kapitull të ri të ndërtimit të marrëdhënieve me të gjitha shtetet dhe është e përkushtuar në zbatimin e të gjitha konventave, marrëveshjeve dhe ligjeve ndërkombëtare.
 
Sekretari i shtetit në MPJ të Hungarisë z. Zsolt Nemeth, përgëzoi presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, për të arriturat në Kosovë, dhe për, siç tha ai, realizimin e ëndrrës të shumë gjeneratave që Kosova të jetë shtet plotësisht i pavarur dhe demokratik.