Presidentja Jahjaga priti ministrin për çështje evropiane të Danimarkës

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim ministrin për çështje evropiane të Danimarkës, zotëri Nicolai Wammen.

Presidentja Jahjaga theksoi se Danimarka ka luajtur një rol të rëndësishëm për rajonin e Ballkanit Perëndimor gjatë kryesimit me BE-në dhe vlerësoi se i gjithë rajoni ka bërë një përparim të theksuar në rrugën evropiane.

Ajo tha se Republika e Kosovës është e përkushtuar në procesin e integrimeve dhe ndihma e Danimarkës është e nevojshme për të mbajtur të hapur perspektivën evropiane për vendin. Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës janë në proces të përmbushjes së standardeve të përcaktuara në studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që i është dorëzuar Kosovës në muajin mars.

Ajo tha se për të ndihmuar këto përpjekje dhe procesin e liberalizimit të vizave është krijuar me dekret të Presidentes Këshilli Kombëtar për Integrime Evropiane, një mekanizëm i lartë gjithëpërfshirës në Kosovë. Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Republikës së Kosovës kanë përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave dhe se shpresojnë që ta marrin atë para përfundimit të mandatit të Presidencës Daneze në BE, në fund të muajit qershor.

“Është me rëndësi për Kosovën që procesi i liberalizimit të vizave të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur, sepse kjo do të përçonte një porosi të mirë për qytetarët se edhe ata kanë një perspektivë të qartë evropiane si të gjithë qytetarët e tjerë të vendeve të rajonit”, tha Presidentja Jahjaga dhe nënvizoi se fillimi i këtij procesi do të ndihmonte institucionet e Kosovës që të fillojnë zbatimin e reformave të nevojshme.

Presidentja Jahjaga tha se Republika e Kosovës duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë me të gjitha vendet e tjera të rajonit dhe se liberalizimi i vizave duhet të kryhet duke u bazuar në parimet dhe kriteret e njëjta sikurse edhe në vendet e tjera, në përputhje me politikën për zgjerim të BE-së dhe perspektivën evropiane për Ballkanin Perëndimor.

Ajo i kërkoi ministrit Wammen përkrahjen e shtetit të tij dhe të BE-së për anëtarësim të Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ministri i çështjeve evropiane të Danimarkës, zotëri Nicolai Wammen, theksoi se i gjithë rajoni, përfshirë edhe Kosovën. ka perspektivë evropiane dhe BE-ja vazhdon të mbetet e përkushtuar për Ballkanin Perëndimor.

Ministri Wammen tha se Kosova është në rrugë të mbarë në proceset integruese por theksoi se është e nevojshme që të përshpejtohet procesi i reformave në veçanti në fushën e sundimit të ligjit.

Ai tha se duhet të ndërmerren hapa të rëndësishëm për të përmbushur standardet e nevojshme dhe gjithashtu vlerësoi qasjen konstruktive të Kosovës në dialogun me Serbinë, si një përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.