Presidentja Jahjaga priti komandantin e ri të FSK-së, gjeneralmajor Kadri Kastrati

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjeneralmajor Kadri Kastrati.

Gjeneralmajor Kastrati e informoi Presidenten Jahjaga për objektivat dhe detyrat e FSK-së, me theks të veçantë për procesin e arritjes së kapaciteteve të plota operacionale, marrjen e detyrave shtesë brenda mandatit aktual, për zhvillimin dhe profesionalizimin e FSK-së pas arritjes së Kapaciteteve të Plota Operacionale, si dhe përgatitjen e FSK-së për të ardhmen.
 
Presidentja Jahjaga, duke i vlerësuar lart  sukseset e Forcës së Sigurisë së Kosovës në procesin e arritjes së Kapaciteteve të Plota Operacionale, ritheksoi gjithë mbështetjen e saj për FSK-në në drejtim të përmbushjes së objektivave të përgjithshme.
 
Ky takim ishte një raportim i rregullt që Komandanti i FSK-së i bën Presidentes së Republikës së Kosovës, e cila është edhe Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës.