Presidentja Jahjaga priti ambasadorin Lulzim Peci

Presidentja e Republikës së Kosovës Znj. Atifete Jahjaga, priti sot në takim ambasadorin e Republikës së Kosovës Z. Lulzim Peci i shoqëruar nga Z. Sami Ukelli Drejtor i Përgjithshëm Politik në Ministrinë e Punëve të jashtme i cili me dekret të veçante është emëruar Shef i Misionit të posaçëm të Kosovës në Beograd.

Presidentja Jahjaga theksoj se hapja e misionit të posaçëm diplomatik të Republikës së Kosovës në Republikën e Serbisë është një hap i rëndësishëm drejtë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve sovrane dhe të pavarura fqinje.

Misioni i ambasadorit Lulzim Peci e ka një rëndësi të veçantë që kontribuon në zhvillimin e gjithanshëm të marrëdhënieve deri në normalizim të plotë, njohje reciproke dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Ambasadori Lulzim Peci e shprehu gatishmërinë që ti kryej të gjitha punët dhe detyrat me përkushtim dhe me përgjegjësi të lartë. I ndërgjegjshëm që ky është një mision i rëndësisë së veçantë duke marrë parasysh të kaluarën e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ambasadori Peci theksoj se zyrtarët ndërlidhës të institucionalizuar sipas marrëveshjes të arritur ndërmjet Kryeministrave të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë në Bruksel e kanë për qëllim ndër të tjera të vendosin një komunikim të rregullt zyrtarë ndërmjet dy vendeve dhe që të ndihmojnë në zgjidhjen e të gjitha çështjeve praktike për të mundësuar qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të kapitalit.