Presidentja Jahjaga priti ambasadoren e re të SHBA në Kosovë, Tracey Ann Jacobson

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim ambasadoren e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.

Me këtë rast, Ambasadorja Ann Jacobson ia dorëzoi Presidentes Jahjaga letrat kredenciale.
 
Pas takimit, Presidentja Jahjaga dha një deklaratë për media, të cilën po e sjellim në vijim:
 
Me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale i urova ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, zonjës Tracey Ann Jacobson, punë të mbarë, shëndet dhe sukses në këtë detyrë dhe mision shumë të rëndësishëm, duke qenë të sigurt se zonja Ann Jakobson do të vazhdojë punën e mirë që e bënë të gjithë ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
 
Për Republikën e Kosovës zhvillimi i marrëdhënieve shumë të mira dhe miqësia e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është qenësore në zhvillimin tonë si shoqëri dhe si shtet demokratik i të gjithë qytetarëve të barabartë, pa dallim.
 
Përkrahja dhe ndihma e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës vlerësohet lartë nga populli ynë në rrugën tonë të çlirimit, të pavarësimit dhe të shtet ndërtimit, si zgjidhje e drejtë që sot Republika e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur me sovranitetin dhe integritetin e garantuar është faktor paqeje dhe stabiliteti që zhvillon marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bilaterale me shumë shtete të cilat tashmë e kanë njohur pavarësinë e vendit.
 
Edhe me këtë rast dëshiroj të theksoj se Republika e Kosovës si shtet demokratik i të gjithë qytetarëve të saj të lirë dhe të barabartë pa dalim përkatësie etnike e fetare është e sigurt në rrugën e saj të integrimeve euroatlantike dhe Bashkimi Evropian po jep një kontribut shumë të rëndësishëm që vendi ynë t’i plotësojë të gjitha obligimet e veta dhe t’i arrijë të gjitha standardet që me sukses të kapërcejë të gjitha fazat deri në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
 
Për vendin tonë krahas zhvillimit ekonomik dhe përparimit të përgjithshëm dhe sistemit të mirë të arsimimit. të shëndetësisë dhe të fushave të tjera është shumë domethënëse që në kuadër të avancimit të proceseve demokratike të sundimit të plotë të ligjit dhe të rendit të kemi rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Në këto procese jemi të gjithë bashkë kemi vullnetin dhe përkushtimin dhe kemi përkrahjen e të gjithë popullit dhe gjithsesi do të kemi sukses.
 
Edhe njëherë e nderuara zonja ambasadore ju dëshiroj sukses, ju dëshiroj shëndet juve dhe familjes suaj.