Presidentja Jahjaga pranoi draft Strategjinë Kombëtare për Integrim Evropian

Presidentja e Republikës së Kosovës, znj Atifete Jahjaga priti në takim Ministren për Integrim Evropian, znj. Vlora Çitaku dhe Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian, z. Lutfi Haziri, të cilët si bashkëkryesues të Task Forcës për Integrim Evropian zyrtarisht i dorëzuan Presidentes draftin e Strategjisë së parë Kombëtare për Integrim Evropian “Kosova 2020: Një qasje gjithëpërfshirëse.”

Hartimi i Strategjisë Kombëtare për Integrim Evropian u inicua në mars të vitit 2012 në takimin themelues të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, që është krijuar për qëllim bashkërendimi institucional nga Presidentja Jahjaga. Në këtë takim ishte rekomandua themelimi i Task Forcës për Integrim Evropian me qëllim hartimin e Strategjisë Kombëtare, duke siguruar konsensus të plotë me të gjithë aktorët e shoqërisë kosovare të përfshirë në këtë proces, dhe që do të reflektonte vizionin  e përbashkët dhe qëllimin e këtij vendi për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
 
Presidentja Jahjaga përgëzoi bashkëkryesuesit e Task Forcës për përfundimin e suksesshëm të procesit që është mbështetur nga të gjitha institucionet, partitë politike, shoqëria civile, komuniteti akademik dhe i biznesit, si dhe akterët tjerë relevant të shoqërisë.
 
Presidentja Jahjaga tha se dokumenti i Strategjisë Kombëtare për Integrim Evropian do të diskutohet dhe miratohet në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian.

Ministrja Çitaku dhe Kryetari Haziri prezantuan dokumentin në fjalë dhe theksuan se dokumenti përmbledh punën dhe konsultimin njëvjeçar të më se 1000 pjesëmarrësve kosovarë dhe ekspertëve të fushave të ndryshme, të cilët kontribuuan në analizimin e gjendjes së tanishme, sfidave dhe identifikimin e qëllimeve që vendi ynë duhet t’i përmbushë deri në vitin 2020 për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës.
 
Krahas adresimit të veçorive të Republikës së Kosovës, strategjia gjithashtu merr parasysh përvojat e suksesshme të shteteve tjera në procesin e integrimit evropian.