Presidentja Jahjaga ngushëlloi familjen Kelmendi

Me rastin e vdekjes së deputetes së Kuvendit të Republikës së Kosovës, zonjës Nekibe Kelmendi, Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjen Kelmendi.

Në telegram thuhet:

E nderuara familje Kelmendi,

Me dhimbje dhe pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga kjo botë të zonjës Nekibe Kelmendi, veprimtares së palodhshme të përjetësimit të idealeve të lirisë, të pavarësisë dhe të demokracisë.

Familja humbi njeriun e dashur, nënën, gjyshen, motrën, që u largua për t’u bashkuar në botën e amshueshme me më të dashurit dhe më të shtrenjtit e kësaj familjeje martire, bashkëshortin dhe djemtë, që u vunë në themelet e lirisë dhe të çështjes kombëtare.

Kosova humbi një veprimtare të palodhshme, të sinqertë dhe të drejtë, e cila me profesionalizmin dhe me përkushtimin e saj kapërcente çdo vështirësi. Institucionet e Kosovës në jetën dhe veprën e zonjës Kelmendi marrin frymëzimin dhe besimin për të ndërtuar Republikën e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, anëtare e Bashkimit Evropian dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Familja dhe ne jemi krenarë që e patëm dhe që la vepër udhërrëfyese për ndërtimin e një shoqërie demokratike, në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive të njeriut, të dinjitetshme dhe prosperuese.

Kujtimi për gjithë që bëri për atdheun është i përjetshëm.