Presidentja Jahjaga bëri homazhe te varri i Presidentit Rugova dhe vizitoi familjen e tij

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga bëri sot homazhe dhe vendosi lule pranë varrit të Presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, dhe vizitoi familjen e Presidentit Rugova me rastin e 68-vjetorit të lindjes së tij.

Presidentja Jahjaga tha se është obligim qytetar por edhe institucional, për të nderuar punën, veprën, sakrificën dhe gjithë angazhimin jetësor të Presidentit Rugova për shtetin e Kosovës.
 
Ajo tha se nderimi i figurës së Presidentit Rugova është nderim i punës e angazhimit të tij për të gjitha proceset në rrugëtimin tonë për liri, pavarësi dhe demokraci, për vendosjen e themelit të shtetit të Kosovës.
 
Në ditëlindjen e Presidentit Rugova erdha të nderoj figurën e tij, angazhimin e tij të vazhdueshëm në vendosjen e bazës së shtetit tonë, në themelimin e shtetit tonë, tha Presidentja Jahjaga.
 
Ajo gjithashtu çmoi lart kontributin e Presidentit Rugova në krijimin e urave të miqësisë e bashkëpunimit me miqtë ndërkombëtarë të Kosovës, për miqësinë tonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që në atë kohë dhe në ato rrethana ka qenë punë e vështirë.
 
Gjithashtu, Presidentja Jahjaga tha se ne kemi vazhduar idealin e tij dhe sot kemi shtetin e pavarur, kemi shtet sovran dhe jemi në rrugën e qartë drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian dhe në NATO.