Presidentja Jahjaga aprovoi Rregulloren mbi llojet e dekoratave që i jep Presidenti i Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka aprovuar Rregulloren mbi llojet e dekoratave që i jep Presidenti i Kosovës dhe procedurat për dhënien e tyre.

Aprovimi i Rregullores u bë në bazë të Nenit 84, pika 28, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe në bazë të Nenit 5 të Ligjit nr. 04/L-070 për Dhënien e Dekoratave.
 
Sipas kësaj rregulloreje, dekoratat që i jep Presidenti/ja e Republikës së Kosovës janë:
 
Urdhri Hero i Kosovës; Urdhri i Lirisë; Urdhri i Pavarësisë; Urdhri Luftëtar i Lirisë “Adem Jashari”; Urdhri për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Dr. Ibrahim Rugova”; Medalja Humanitare “Nëna Terezë”; Medalja e Paqes dhe Pajtimit “Anton Çetta”; Medalja Presidenciale e Meritave (Arsim, Shkencë, Kulturë, Rini, Sport, Siguri, dhe Shërbim Civil);  Medalja Ushtarake për Shërbim në Kosovë; Çmimi për Inovacione, Kërkime dhe Zhvillim, dhe Titulli Ambasador Nderi i Kosovës.
 
Rregullorja mbi llojet e dekoratave që i jep Presidenti i Kosovës dhe procedurat për dhënien e tyre është e publikuar në ueb-faqen e Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës.