Presidentja: Ilaz Kodra dha jetën e tij duke i mbrojtur jetët e të tjerëve

Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, sot ka bërë homazhe tek të rënët e fshatrave Shtuticë dhe Vërboc, si dhe ka vizituar kullën e Heroit Ilaz Kodra në 22-vjetorin e rënies së tij.

Presidentja Osmani ka thënë se Heroi Ilaz Kodra me bashkëluftëtarët e UÇK-së, qenë shndërruar në mburojë të popullatës civile në Vërboc e Shtuticë, kur forcat serbe me makineri luftarake mësynë kundër tyre.


 

Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:



Tridhjetë prilli i vitit 1999 është ndër ditët më të rënda në historinë e re të Kosovës. Në këtë ditë, forca ushtarake, policore e paramilitare të regjimit serb vunë nën rrethim Shtuticën, Vërbocin dhe fshatrat përreth duke vrarë mizorisht afër 300 civilë shqiptarë.

 

Heroi Ilaz Kodra me bashkëluftëtarët e UÇK-së, qenë shndërruar në mburojë të popullatës civile në Vërboc e Shtuticë, kur forcat serbe me makineri luftarake mësynë kundër tyre. 


Sot, në 22-vjetorin e rënies, e kujtuam veprën heroike të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodrës dhe të dëshmorëve e të rënëve të kësaj zone.

 

Ilazi ishte ushtar i hershëm i lirisë, pjesëmarrës i shumë betejave në Drenicë dhe bashkëveprimtar i komandant Adem Jasharit. Ai e dha jetën e tij duke i mbrojtur jetët e të tjerëve, njerëzve të pambrojtur, që ishin bërë cak i vazhdueshëm i forcave serbe. 


Duke vendosur lule pranë bustit të tij, ne e nderuam atdhetarizmin, heroizmin dhe përkushtimin e tij për lirinë, si dhe sakrificën e tij për mbrojtjen e popullatës së pambrojtur.

 

Në kullën e tij, e cila ruan dëshmitë e qëndresës së brezave të familjes Kodra, e rikujtuam qëndresën tonë historike.

 

Në Kompleksin Memorial në Marinë, ku komandant Ilazi prehet së bashku me shumë heronj të tjerë, u përkulëm në nderim të veprës së tij dhe të gjithë dëshmorëve, pa të cilët liria do të mbetej vetëm synim. 


I përjetshëm kujtimi për të rënët!