Presidentja: Duke kujtuar viktimat dhe tmerrin e kryer ndaj tyre nga regjimi serb ne e mbajmë të gjallë kujtimin për viktimat, dëshmojmë për historinë e dhimbshme tonën

Presidentja e Republikë s së Kosovë s, dr. Vjosa Osmani – Sadriu, ka kujtuar masakrën e Studimes, njërën ndër masakrat më të tmerrshme ndaj civilëve shqiptarë.
Presidentja Osmani ka thënë  se në këtë datë të vitit 1999, për më pak se 2 orë, paramilitarët, ushtarët dhe policët serbë vranë 116 shqiptarë të pambrojtur, ndër ta edhe shumë fëmijë e gra, përfshirë edhe një nënë shtatzënë

“Duke kujtuar viktimat dhe tmerrin e kryer ndaj tyre nga regjimi serb, ne e mbajmë të gjallë kujtimin për viktimat, dëshmojmë për historinë e dhimbshme tonën, por edhe e ritheksojmë përkushtimin tonë që të mos reshtim së kërkuari drejtësi për to, derisa ajo të vihet në vend”, ka thënë  Presidentja Osmani. 

Në  vijim, gjeni të  plotë  postimin e Presidentes Osmani: 

Çdo 2 maj përkujtojmë viktimat e masakrës së Studimes, njërës ndër masakrat më të tmerrshme ndaj civilëve shqiptarë. Në këtë datë të vitit 1999, për më pak se 2 orë, paramilitarët, ushtarët dhe policët serbë vranë 116 shqiptarë të pambrojtur, ndër ta edhe shumë fëmijë e gra, përfshirë edhe një nënë shtatzënë.
Dëshmitë flasin për masakër të planifikuar qysh më herët nga forcat serbe. Shumë janë ekzekutuar nga afër me gjakftohtësi të plotë, me një plumb në kokë, të tjerë janë shpuar me bajoneta ose janë ekzekutuar me automatikë. Në dhjetëra raste të ekzekutuarve u janë gërvishtur në trup simbole serbe.
Duke kujtuar viktimat dhe tmerrin e kryer ndaj tyre nga regjimi serb, ne e mbajmë të gjallë kujtimin për viktimat, dëshmojmë për historinë e dhimbshme tonën, por edhe e ritheksojmë përkushtimin tonë që të mos reshtim së kërkuari drejtësi për to, derisa ajo të vihet në vend. Vetëm atëherë ato do të prehen të qetë dhe ndërgjegjja jonë do të qetësohet. Vetëm kur drejtësia të vendosë me fuqinë e ligjit, kur shteti serb të gjykohet për krimin shtetëror dhe kur kërkimfalja të vijë nga pasardhësit e sotëm të regjimit të djeshëm të Milloshevicit, viktimat e pafajshme do të prehen qetësisht. 

Lavdi të rënëve!