Presidentja Atifete Jahjaga u takua me Presidentin e SHBA, Barack Obama

Varshavë, 27 maj 2011 – Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e cila po merr pjesë në Samitin e liderëve të Evropës Qendrore, që po i zhvillon punimet në Varshavë, u takua sot në mbrëmje me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, në një darkë të përbashkët të liderëve pjesëmarrës në Samitin e Varshavës.

Gjatë fjalës së saj në darkën e punës, të udhëhequr nga presidenti i SHBA-së, Barack Obama, zonja Jahjaga tha:
 

Shkëlqesi të nderuara,

Zonja dhe zotërinj,

Republika e Kosovës e përmbyll procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, i cili fatkeqësisht nuk ishte një proces i lehtë, por një proces që la pasoja për të gjithë popujt e këtij rajoni.

Kosova më 10 qershor të vitit 1999 u vu nën administrimin ndërkombëtar. Ndërtimi i institucioneve të vendit, qeverisja e mirë, shkalla e lartë e demokratizimit, marrëdhëniet e mira ndërnacionale, bashkëjetesa fetare krijuan kushtet që Kosova të shpallë pavarësinë e saj më 17 Shkurt 2008.

Kjo pavarësi është pranuar nga 75 vende të botës, duke e bërë kështu vendin tim një realitet të pakthyeshëm, i cili është faktor paqeje dhe stabiliteti dhe që zhvillon marrëdhënie shumë të mira fqinjësore me shtetet përreth.

Roli i SHBA-së në Ballkan ka qenë në mënyrë të vazhdueshme jetik për stabilitetin dhe paqen në rajon dhe për demokratizimin e shtetndërtimin e secilit shtet.

Kosova si vendi më i ri në Evropë është duke ndërtuar shoqëri humane  të bazuar në barazi, rend dhe ligj. Në këtë rrugë përkrahja e SHBA-së është me rëndësi vitale.

Në vendin tim, që prej përfundimit të luftës janë zhvilluar disa herë zgjedhjet lokale dhe ato qendrore, të cilat nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe ata vendorë janë cilësuar si të drejta dhe me standarde ndërkombëtare.

 

Republika e Kosovës me Kushtetutë dhe me ligjet e saj i ka të garantuara vendet për pakicat kombëtare në Kuvendin e Kosovës dhe në Qeverinë e vendit dhe kjo normë çdo herë është përmbushur.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kemi nisur procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, për çështjet praktike që lehtësojnë jetën e qytetarëve dhe normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Në interesin e të gjithë neve është që dialogu të ketë sukses, duke ofruar zgjidhje evropiane.

Dëshiroj këtu të them se vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën duhet këtë ta bëjnë, sepse kjo do të ishte në harmoni me vullnetin e shprehur lirshëm të të gjithë qytetarëve të vendit tim dhe do t’i shërbente stabilitetit të rajonit. Vendi im gjeografikisht gjendet në rrugët dhe korridoret më të rëndësishme nga lindja në perëndim

 

Republika e Kosovës shpreh dëshirën për bashkëpunim të mirë me të gjitha vendet, duke respektuar barazinë, dinjitetin dhe vullnetin e të gjitha kombeve.

E ardhmja e vendit tim dhe e gjithë rajonit të Ballkanit është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe kjo nuk ka alternativë.

Në vijim presidentja Jahjaga foli edhe për lëvizjet popullore në vendet arabe dhe vendet e Lindjes së Mesme.

Vendet Arabe dhe vendet e Lindjes së Mesme, janë përfshirë në lëvizjet e mëdha popullore që synojnë të bëjnë ndryshime duke shfrytëzuar mundësitë e teknologjisë moderne dhe të globalizimit.

Sistemi politik i këtyre vendeve është një gërshetim i tradicionalizmit, i absolutizmit dhe i teokracisë. Gjenerata e re në këto vende ndjek nga afër  zhvillimet teknologjike dhe është e vetëdijshme për trendet bashkëkohore. Kjo ka krijuar mospërputhje ndërmjet asaj që shohin dhe asaj që përjetojnë. E ardhmja është përpara, ata duan që ta zënë të ardhmen e tyre dhe ne shpresojmë se kjo mund të arrihet me sa më pak tronditje dhe dhunë.

Përvojat e Republikës së Kosovës dhe të popullit tim mund, të shërbejnë  që kjo rrugë të kapërcehet më lehtë. Kosova është mbi nëntëdhjetë për qind myslimane dhe ka shekuj që është e tillë. Megjithëkëtë, islamizmi në vendin tim është çështje private dhe nuk është i ngritur në nivel të ideologjisë. As nuk është i imponuar në nivel të rregullimit të shtetit ose të marrëdhënieve ndërmjet shtetit dhe të njerëzve. Derisa sheriati nuk ishte asnjëherë normë zakonore në Kosovë ne kishim kanunin tonë tradicional. Ai ka ekzistuar shumë kohë përpara se sa Kushtetuta e sotme, por që të dytë reflektojnë respektin për dinjitetin njerëzor.

Kosova është një shtet demokratik që i përket civilizimit evropian. Islami është raporti i individit me Zotin, dhe jo i individit me shtetin. Është marrëdhënia njerëzore me besimin që nuk  imponohet ndaj të tjerëve.

Si femër dhe si Presidente e Republikës së Kosovës, jam dëshmi e barazisë gjinore që ekziston në Kosovë dhe kam mbështetjen nga i gjithë spektri politik dhe nga të gjithë qytetarët pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, fetare, racore a dallime të tjera. 

Lëvizjet në Lindjen e Mesme dhe vendet e Afrikës Veriore mund të rrëzojnë dinastitë, mund të përmbysin liderët, mund të largojnë nga pushteti familje të caktuara ose fise, por ndonjëherë si ishte rasti me Iranin mund të sjellin në pushtet teokratët. Me qëllim të sigurimit se këto lëvizje popullore arrijnë demokracinë, ne duhet t’i mbështesim ato.

Ne, bota demokratike, asnjëherë nuk duhet të mbyllim sytë ndaj injorancës, ndaj shtypjes, ndaj mohimit të drejtave dhe lirive të njeriut në pjesën tjetër të botës.

Solidariteti dhe detyra për të ndihmuar janë obligim yni, sepse Zoti të gjithëve na krijoi të barabartë dhe sipas shëmbëlltyrës së vet.