Presidentja Atifete Jahjaga u prit nga kryetarja e Parlamentit Kombëtar të Austrisë, Barbara Prammer

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u prit sot në Vjenë nga kryetarja e Parlamentit Kombëtar të Austrisë, zonja Barbara Prammer, me përfaqësuesit e grupeve parlamentare në Parlamentin e Austrisë.

Presidentja Jahjaga shprehu falënderimin e saj për përkrahjen e vazhdueshme që Republika e Austrisë i ka dhënë Kosovës dhe për angazhimin në mbështetje të proceseve demokratike nëpër të cilat po kalon vendi. Ajo i vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve si shumë të mira dhe theksoi se ato duhet të thellohen më tej në të gjitha fushat.

Presidentja Jahjaga tha se është i nevojshëm një bashkëpunim më i madh ndërmjet Parlamenteve të të dyja shteteve dhe shkëmbimi i përvojave ndërmjet tyre, duke theksuar se Austria me përvojën e saj mund ta ndihmojë Kosovën në procesin e integrimeve evropiane.

Kryetarja e Parlamentit Kombëtar të Austrisë, zonja Barbara Prammer, duke i uruar mirëseardhje Presidentes Jahjaga, tha se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë shumë të mira dhe ofroi përkrahjen e Parlamentit të Austrisë për Kosovën.

Përfaqësuesit e grupeve parlamentare të Parlamentit Austriak u interesuan për marrëveshjen e arritur ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, për pozitën e minoriteteve në Kosovë, në veçanti për pozitën e minoritetit rom, si dhe për bashkëpunimin konkret parlamentar ndërmjet ty vendeve.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga po qëndron në vizitë shtetërore në Republikën e Austrisë, me ftesë të Presidentit të Austrisë, dr. Heinz Fischer.

Ndërkohë të martën në mbrëmje,, me të arritur në Vjenë të Austrisë, Presidentja Jahjaga ka pasur një darkë pune me ish-zëvendës të dërguarin e OKB-së për statusin e Kosovës, zotëri Albert Rohan, me raportuesen e posaçme për Kosovën në Parlamentin e Evropës, Ulrike Lunachek, si dhe me drejtorin politik në Ministrinë e Jashtme të Austrisë, Ian Kikert.