Presidentja Atifete Jahjaga u prit nga kryeministri i Malajzisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u prit sot në Kuala Lumpur nga kryeministri i Malajzisë, Dato’ Sri Mahid Najib bin Tun Abdual Razak. Në takim mori pjesë edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, zonja Mimoza Kusari Lila.

Presidentja Jahjaga e falënderoi kryeministrin e Malajzisë për njohjen e Republikës së Kosovës, menjëherë pas pavarësimit, dhe tha se qytetarët e saj tani jetojnë në paqe dhe prosperitet.

Ajo tha se Kosova dhe Malajzia kanë marrëdhënie të mira ndërmjet vete, por theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat, posaçërisht në fushën e ekonomisë. Presidentja Jahjaga e vlerësoi si të rëndësishme promovimin e bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet dy vendeve nëpërmjet arritjes dhe zbatimit të marrëveshjeve në fusha të ndryshme që promovojnë dhe mbrojnë investimet.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova në pesë vitet e pavarësimit ka konsoliduar demokracinë e saj, po ndërton një shtet të së drejtës dhe po krijon një klimë të favorshme për investime që garantojnë një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Presidentja Jahjaga theksoi se zhvillimi ekonomik i vendit është prioritet i parë dhe Kosova po ndërmerr hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Ajo theksoi se janë bërë investime të rëndësishme në përmirësimin e infrastrukturës, edhe në fushën e legjislacionit.

Ajo tha  se Kosova është vend me një klimë të favorshme biznesi si për investitorët vendorë ashtu edhe ata  ndërkombëtarë dhe iu ofron mundësi të barabarta investimi të gjithëve.

Ajo theksoi se Republika e Kosovës po dëshmohet si një promotor i fqinjësisë së mirë dhe i paqes e stabilitetit në gjithë rajonin e Ballkanit dhe e ardhmja e saj është në BE. Presidentja Jahjaga tha se Kosova po bën reformat e nevojshme me qëllim të përmbushjes së standardeve dhe të kritereve të kërkuara nga BE-ja dhe me qëllim të mirëqenies së qytetarëve të saj.

Duke folur për konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë, Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova mëton të ndërtojë partneritete dhe bashkëpunim në veçanti me vendet mike, të cilat e kanë ndihmuar atë në të gjitha fazat e shtetndërtimit, në mesin e të cilave edhe Malajzia.

Presidentja Jahjaga theksoi se mbështetja për procesin e njohjeve nga Malajzia është e rëndësishme posaçërisht në fushën e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik dhe në OKB.

Duke folur për çështjen e dialogut me Republikën e Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të mbështetur nga SHBA-ja, Presidentja Jahjaga theksoi se qëllimi parësor është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve të pavarura dhe sovrane. Ajo tha se marrëveshja e arritur në prill të këtij viti duhet të zbatohet, sepse hap rrugën e bashkëpunimit dhe perspektivën evropiane për të dyja shtetet, duke ndihmuar në vendosjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon e më gjerë.

Presidentja Jahjaga theksoi se me qëllim të promovimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Malajzisë duhet vendosur marrëdhënie të ngushta diplomatike përmes hapjes së ambasadave në të dyja vendet.
Presidentja Jahjaga i bëri ftesë zyrtare kryeministrit të Malajzisë, Dato? Sri Mahid Najib bin Tun Abdual  Razak, që ta vizitojë Kosovën në një të ardhme të afërt, për t?u njohur nga afër me zhvillimet dhe progresin e Kosovës.

Kryeministri i Malajzisë, Dato? Sri Mahid Najib bin Tun Abdual  Razak, e pranoi me kënaqësi ftesën e Presidentes për vizitë në Kosovë.

Ai tha se vendi i tij është një mbështetës i Kosovës dhe proceseve nëpër të cilat po kalon ajo. Kryeministri i Malajzisë theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe u interesua për mundësitë dhe kapacitet që ofron Kosova në fushën e investimeve dhe të bashkëpunimit ekonomik.

Kryeministri i Malajzisë shprehu interesimin e tij edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me zhvillimet në rajonin e Ballkanit dhe në veçanti në Kosovë.