Presidentja Atifete Jahjaga takoi ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cliff

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cliff, e ka përgëzuar presidenten për zgjedhjen e saj dhe tha se vendi i tij do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën në të gjitha fushat. Ambasadori britanik tha se është e një rëndësie të veçantë perspektiva e qartë evropianë për Kosovën dhe avancimi i saj, së bashku me vendet e tjera të rajonit, drejt anëtarësimit në BE. Ai tha se dialogu me Beogradin është i rëndësishëm dhe se zgjidhja e problemeve praktike është jetike.

Presidentja Jahjaga e falënderoi ambasadorin britanik për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës, duke vlerësuar atë si të rëndësishme, meqë Kosova ka nevojë për agjendë të qartë evropiane.

Presidentja tha se Kosovës i duhet vendosja e një marrëdhënieje kontraktuale me BE-në mënyrë që të qartësohet e ardhmja e saj. Ajo tha se Kosova po i kushton kujdes marrëdhënieve me shtetet fqinje në mënyrë të veçantë  marrëdhënieve me Serbinë, posaçërisht dialogut që po zhvillohet në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian. Presidentja tha se dialogu do të ketë sukses, meqë palët do të gjejnë vetëm zgjidhje evropiane që janë në interes të të dy popujve dhe të dyja vendeve.