Presidentja Atifete Jahjaga priti Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për Kosovën, Samuel Zbogar

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për Kosovën, zotëri Samuel Zbogar, me të cilin diskutoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi.

Presidentja Jahjaga dhe zotëri Zbogar biseduan për mbarëvajtjen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, për agjendën evropiane të Kosovës si dhe për procesin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe edhe për dialogun për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, me theks të veçantë në përmbushjen e standardeve dhe të kritereve që kërkohen nga BE.

Ata vlerësuan se viti 2013 është një vit i rëndësishëm për Kosovën posaçërisht për rrugën evropiane të saj dhe për zhvillimin e proceseve demokratike në vend.

Presidentja Jahjaga theksoi se ky vit është i rëndësishëm jo vetëm për Kosovën por edhe për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe tha se institucionet e Kosovës janë të angazhuara plotësisht në përmbushjen e të gjitha kushteve dhe të standardeve që do të mundësonin qarkullimin e lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së dhe gjithashtu edhe arritjen e Marrëveshjes së Stabizilim-Asociimit.

Gjithashtu, Presidentja Jahjaga dhe zotëri Zbogar theksuan nevojën e përshpejtimit dhe të përfundimit të reformës zgjedhore dhe kushtetuese dhe vlerësuan se vendosja e rendit dhe sundimit të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës mundëson zhvillimin dhe përparimin e Kosovës.