Presidentja Atifete Jahjaga priti baroneshën Catherine Ashton

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për politikë të Jashtme dhe Siguri, baroneshën Catherine Ashton, me të cilin bisedoi për procesin e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për zgjedhjet komunale dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje, si dhe përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare.

Presidentja Jahjaga e vlerësoi punën, angazhimin dhe udhëheqjen e baroneshës Ashton të procesit të dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Ajo tha se vizita e baroneshës Ashton në Kosovë dhe takimi me përfaqësuesit e institucioneve si dhe të partive politike do të ndihmojë që të kuptohet drejt rëndësia e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve drejt një të ardhmeje më të mirë.
 
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka bërë përparime të rëndësishme në zbatimin e marrëveshjes dhe theksoi përkushtimin e institucioneve të vendit për të marrë përgjegjësitë që dalin nga ajo.
 
Duke folur për zgjedhjet komunale, që do të mbahen në tërë territorin e Republikës së Kosovës, njëkohësisht, më 3 Nëntor, Presidentja Jahjaga tha se tani duhet bërë përgatitjet e nevojshme që zgjedhjet të jenë të lira, demokratike dhe të drejta, si dhe të ketë një pjesëmarrje gjithëpërfshirëse. Ajo tha se pjesëtarëve të komunitetit serb që jetojnë në komunat në veri të territorit të Kosovës, duhet t’u sqarohet rëndësia e pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje dhe inkuadrimi në shoqërinë e institucionet e vendit.
 
Duke folur për ligjin për amnistinë, që ka ngjallur shqetësime në shoqërinë e Kosovës, Presidentja Jahjaga tha se, përkundër vështirësive, është i një rëndësie të veçantë pajtimi politik me qytetarët në veri të territorit të vendit, por duhet siguruar gjithashtu që të respektohen edhe parimet dhe normat e përcaktuara me Kushtetutën e vendit.
 
Presidentja Jahjaga tha se me hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Kosova ka hapur një marrëdhënie të re me BE-në dhe theksoi rëndësinë e përshpejtimit të procesit të liberalizimit të vizave për qarkullim të lirë të qytetarëve të vendit në shtetet e BE-së. Ajo theksoi se Kosova e ka të qartë perspektivën evropiane dhe tha se Republika e Kosovës duhet të përfaqësohet në të gjitha nismat rajonale dhe ato ndërkombëtare në mënyrë të barabartë me të gjitha shtetet e tjera pjesëmarrëse në to.
 
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, baronesha Catherine Ashton shprehu konsideratën e saj për angazhimin dhe mbështetjen parimore që Presidentja Jahjaga i ka dhënë procesit të dialogut që prej fillimit të tij dhe theksoi rëndësinë e arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo tha se zbatimi i marrëveshjes është me rëndësi, sepse kjo do të ndihmojë qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë. Baronesha Ashton e vlerësoi të rëndësishëm procesin e zgjedhjeve komunale dhe gjithashtu edhe angazhimin e Presidentes për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në këtë proces. Baronesha Ashton theksoi se i gjithë rajoni i Ballkanit ka perspektivë të qartë evropiane.