Presidentja Atifete Jahjaga priti admiralin James Stavridis

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim komandantin e krahut jugor të NATO-s, admiralin James Stavridis, i cili po qëndron në Kosovë në një vizitë lamtumirëse.

Presidentja Jahjaga e vlerësoi lart punën e admiralit Stavridis gjatë gjithë periudhës në krye të NATO-s dhe e falënderoi për mbështetjen e përkrahjen e plotë që i ka dhënë proceseve në Kosovë.

Presidentja Jahjaga dhe admirali Stavridis biseduan së bashku për gjendjen e sigurisë në Kosovë, për marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vazhdimësinë e pranisë së forcave të NATO-s si dhe për ndërtimin e një marrëdhënieje kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Aleancës Veri-Atlantike.

Presidentja Jahjaga theksoi se Republika e Kosovës është e përkushtuar për zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel me Republikën e Serbisë, që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe ndihmon në zhbërjen e strukturave ilegale dhe paralele, si dhe lehtëson jetën e qytetarëve nga të dyja anët e kufirit. Ajo theksoi se është me rëndësi që Republika e Serbisë të zbatojë në tërësi marrëveshjen e arritur, sepse kështu do të mund të ecet drejt relaksimit të raporteve dhe në rrugën e integrimeve evropiane.

Presidentja Jahjaga theksoi se forca paqeruajtëse e NATO-s është me rëndësi të ndihmojë në procesin e zbatimit të marrëveshjes, duke garantuar sigurinë për të gjithë qytetarët që jetojnë në pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës dhe duke ofruar një mjedis të qetë e të sigurt.

Ajo theksoi se trupat paqeruajtëse të NATO-s po vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm për sigurinë në vend dhe partneriteti me KFOR-in dhe Aleancën Veri-Atlantike është shumë i domosdoshëm. Presidentja Jahjaga theksoi se Republika e Kosovës e sheh të ardhmen e saj në integrimet euroatlantike dhe theksoi nevojën e thellimit të marrëdhënieve me NATO-n përmes një marrëdhënieje kontraktuale të përbashkët. Ajo tha se Forca e Sigurisë së Kosovës, që po ndërtohet me ndihmën e NATO-s, ka arritur të përmbushë gjithë kapacitetet e saj operacionale.

Komandanti i krahut Jugor të NATO-s, admirali James Stavridis, që do të largohet nga kjo detyrë së shpejti, e vlerësoi lartë bashkëpunimin që ka pasur me Presidenten dhe gjithë institucionet e tjera të Kosovës. Ai tha se prania e NATO-s në Kosovë vazhdon të jetë e rëndësishme për të ofruar një mjedis të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, posaçërisht në këtë periudhë të arritjes së marrëveshjeve në Bruksel.

Admirali Stavridis theksoi se Kosova dhe i gjithë rajoni kanë shënuar përparim të rëndësishëm në fusha të ndryshme dhe posaçërisht në fushën e sigurisë.