Presidentja Atifete Jahjaga ngushëlloi familjen mbretërore të Leka Zogut

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ngushëlloi familjen mbretërore shqiptare pas ndarjes nga jeta të Naltmadhënisë së Tij, Mbretit të Shqiptarëve Leka I Zogu

Në telegramin e ngushëllimit thuhet:
 
E nderuara familje mbretërore shqiptare,
 
Morëm me pikëllim të thellë lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, të mbretit të shqiptarëve, Naltmadhënisë së Tij Leka I Zogu.
 
Në emrin tim personal, në emër të institucioneve dhe në emër të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
 
Me këtë rast, vlerësojmë lart kontributin e familjes mbretërore në ndërtimin e shtetit dhe demokracisë shqiptare dhe punën, përherë. në të mirë të Kombit. Qytetarët e Kosovës e ruajnë kujtimin për Mbretin e Shqiptarëve N.M.T. Leka I Zogu, i cili gjithmonë dhe në çdo rast ishte me Kosovën.
 
Ngushëllimet më të thella për Ju familjen Mbretërore Shqiptare dhe për mbarë kombin shqiptar.