Presidenti: Xheva dhe Fehmiu do të mbeten përjetësisht emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Drenas, 20 shtator 2018 – Nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot në Drenas është bërë përurimi i shtatoreve të heroit Fehmi Lladrovci dhe heroinës Xhevë Krasniqi - Lladrovci.

Presidenti Thaçi ka thënë se sot është një ditë e veçantë për Kosovën dhe kombin shqiptar.

“Xheva dhe Fehmiu, ishin, janë dhe do të mbeten në përjetësi emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i vendit ka theksuar se së bashku me shumë bashkëluftëtarë, si Kadriun, Samiun dhe shumë të tjerë, ka pasur rastin, por edhe krenarinë të bëjë rrugëtime të rrezikshme të kalimit të kufijve me Xhevën dhe Fehmiun”, duke shtuar më tej se “fryma, angazhimi dhe mesazhet unifikuese dhe mobilizuese të Xhevës dhe Fehmiut për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për të gjithë shqiptarët në Kosovë dhe kudo është i pakrahasueshëm”.

Presidenti Thaçi ka thënë se emri, jeta dhe vepra e Xhevës dhe Fehmiut është kudo, përmendet kudo, respektohet tek çdo qytetar shqiptar, në çdo familje shqiptare kudo që jetojnë.

“Kam pasur privilegjin që para se t’i njoh Xhevën edhe Fehmiun, t’i njoh edhe prindërit e tyre, bacën Avdyl dhe bacën Tush, të cilët me edukatën e tyre, me trimërinë e tyre, me gjithë atë angazhim të jashtëzakonshëm bënë që të rriten edhe heroina e kombit, Xheva, në frymën atdhetare, por edhe Fehmiu me përkushtimin e tij si nxënës, si student, si komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit më tej ka shtuar se kontributi dhe lufta e Xhevës dhe Fehmiut nuk ishte vetëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, po për ta dhe për të gjithë ne është e pamjaftueshme të jemi vetëm të lirë dhe të pavarur, sepse duhet të integrohemi edhe në NATO dhe Bashkim Evropian.

“Institucionet e Republikës së Kosovës janë në rrugë të mbarë, të rregullt, në koordinim edhe me SHBA-në dhe NATO-n, që në muajt e ardhshëm të themelojmë edhe Forcat e Armatosura të Kosovës dhe të fillojmë procesin e Partneritetit për Paqe dhe anëtarësim në NATO. Prandaj kam besim të plotë se Kuvendi i Republikës së Kosovës, Qeveria dhe të gjitha institucionet do ta kryejnë me kohë, jo në rrugë triumfaliste, por të drejtë kushtetuese dhe ligjore”, ka shtuar ai.

Në fund, presidenti Thaçi ka theksuar edhe nevojën për t’i përkrahur shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në kërkesën e tyre për bashkëngjitjen e kësaj hapësire shqiptare me Republikën e Kosovës.

Duke u bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, presidenti Thaçi ka ndarë edhe Medaljen Jubilare Presidenciale të 10 Vjetorit të Pavarësisë, pas vdekjes, për prindërit e dy heronjve, Avdyl Krasniqin dhe Muhamet Lladrovcin.