Presidenti Thaçi viziton Batalionin e Mjekësisë në Forcën e Sigurisë së Kosovës

Prishtinë, 26 mars 2020 – Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka vizituar Forcën e Sigurisë së Kosovës, konkretisht Batalionin e Mjekësisë, ku për së afërmi ka parë punën e tyre.

“Për mua ishte kënaqësi e veçantë të shoh një nivel kaq të lartë të përgatitjes profesionale të Batalionit të Mjekësisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës. Të bindem edhe një herë për kapacitetet e larta, profesionale, mjekësore e logjistike të FSK-së, që janë shembull për rajonin e Ballkanit Perëndimor. FSK-ja është e gatshme që t’u dalë në ndihmë qytetarëve të Kosovës, kurdo që kërkohet, në çdo hapësirë të territorit të Republikës së Kosovës. Është e gatshme që t’i ndihmojë të gjitha institucionet që merren konkretisht me punët, edhe sa i përket preventivës dhe tejkalimit të gjendjes, pas shpërthimit të Coronavirusit. Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj çdo ushtar, oficer, nënoficer, gjeneral, që janë angazhuar maksimalisht në këtë rrethanë të re, të rëndë, por në të njëjtën kohë sfiduese dhe sakrifikuese, por me optimizëm, me shpresë dhe besim se do ta tejkalojmë me pasoja sa më të vogla”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, ka thënë se i kanë marrë të gjitha masat dhe kanë ngritur gjendjen e gatishmërisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Jemi me fat që nuk kemi asnjë prej pjesëtarëve tanë të infektuar. Jemi në kontakt me të gjithë. Unë mund të them që, po shpresoj dhe po besoj që s’kemi nevojë që t’i përdorim këto kapacitetet tona, por jemi në gjendje gatishmërie. Çdo nevojë që paraqitet edhe prej institucioneve, por edhe prej qytetarëve, ne jemi të gatshëm në çdo kohë, në çdo moment, që t’ju dalim në ndihmë”, ka thënë komandanti Rama.

Presidenti Thaçi ka thënë se pas vizitës së djeshme në QKUK, sot e ka parë edhe profesionalizmin dhe kapacitetet e përgatitjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Kjo e rritë edhe më tepër besimin, shpresën, optimizmin edhe tek unë si president i vendit, se Kosova do ta tejkalojë me sukses këtë sfidë. Si shtet kemi kapacitete të mjaftueshme për t’u marrë me sfidën e pandemisë Covid19”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se shëndeti i qytetarëve është në duart e profesionistëve dhe ne të tjerët duhet t’i ndihmojmë mjekët dhe të gjithë ata që po përballen me virusin Covid19, duke qëndruar në shtëpi.