Presidenti Thaçi vizitoi stafin mjekësor të QKUK-së

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka vizituar QKUK-në dhe ka zhvilluar një bashkëbisedim me stafin mjekësor, të cilët i ka falënderuar për punën dhe përkushtimin e tyre në këtë betejë me pandeminë.

Presidenti Thaçi ka thënë se personeli mjekësor e ka përkrahjen e të gjitha institucioneve.

“Me të vërtetë ka qenë një betejë dhe vazhdon të mbetet betejë e madhe. E jona është që t’ju mbështesim maksimalisht me krejt potencialin shtetëror që e kemi. Unë dëshiroj t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për kolegët tuaj dhe natyrisht për çdo qytetar që e ka humbur jetën, por edhe t’u uroj shërim sa më të shpejt të gjithë të prekurve”, deklaroi presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se puna e madhe e bërë nga ana e personelit mjekësor ka qenë shembull për rajonin.

Ai shprehu besim të plotë në forcën, energjinë dhe dijen e mjekëve tanë, por edhe disiplinën qytetare, për ta tejkaluar sa më lehtë së bashku pandeminë.