Presidenti Thaçi vizitoi liqenin e Ujmanit dhe pikën kufitare në Bërnjak

Prishtinë, 29 shtator 2018 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka vizituar pikën kufitare në Bërnjak dhe liqenin e Ujmanit në veriun e Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se është mrekulli t’i shohësh të gjithë njerëzit duke punuar, të nacionaliteteve të ndryshme, shqiptarë, serbë e boshnjakë, pa dallime, në shërbim të rendit, ligjit, lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave.

“Sot kisha kënaqësinë që në një vizitë krejt rutinë normale të punës, të vizitoj pikën kufitare në Bërnjak, të takoj policë kosovarë, të takoj kufitarët në pikën IBM, të instaluar nga rezultatet e bisedimeve në Bruksel. Ishte një mrekulli t’i shihje të gjithë njerëzit duke punuar, të nacionaliteteve të ndryshme, shqiptarë, serbë e boshnjakë, të gjithë pa dallime në shërbim të rendit, në shërbim të ligjit, në shërbim të së mirës, në shërbim të lëvizjes së lirë të njerëzve, të mallrave, pra një gjendje krejt normale”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka shtuar se zakonisht vikendet i kalon duke ecur nëpër bukuritë e Kosovës, bjeshkët e Nemuna, në bjeshkët e Sharrit, në Shalë të Bajgorës, nëpër Pashtrik, por sot ka vendosur t’i kaloj te liqeni i Ujmanit.

“Sot, pas kësaj vizite, vendosa që të bëjë edhe një xhiro lundrimi në këtë vend të mrekullueshëm, në Liqenin e Ujmanit, në këtë vend të bukur, të pakrahasueshëm të Republikës së Kosovës, por edhe në rajon”, ka thënë presidenti Thaçi.