Presidenti Thaçi takoi ambasadorët dhe shefat e misioneve ndërkombëtare, kërkoi unitet ndërkombëtar për Kosovën

Prishtinë, 15 maj 2019 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot ambasadorët dhe shefat e zyrave dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, për të ndarë me ta opinionet nga takimi i Berlinit dhe pritjet për takimin që do të mbahet në Paris.

Presidenti Thaçi u shpreh se e ka mirëpritur kthimin e vëmendjes së Gjermanisë dhe Francës në çështjet e Ballkanit Perëndimor, në veçanti në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Vlerësoj lart vullnetin e mirë të kancelares Merkel dhe këmbëngulësinë e presidentit Macron që çështjet e Ballkanit Perëndimor të lëvizin përpara”, u shpreh presidenti Thaçi.

Duke folur për takimin e Berlinit, presidenti Thaçi theksoi se “takimi i Berlinit as nuk mbylli dhe as nuk hapi ndonjë ide apo koncept për mundësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi”.

Presidenti mirëpriti edhe kërkesën që të vazhdojë dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë, në kërkim të një marrëveshjeje paqësore, që për Kosovën duhet të jetë marrëveshje përfundimtare, ligjërisht obliguese, që sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara.

“Marrëveshje me të cilën ruhet substanca dhe karakteri shumetnik i vendit dhe shoqërisë, si dhe që hap rrugë integrimit në NATO dhe në BE”, u shpreh preh presidenti Thaçi.

Po ashtu, kreu i shtetit theksoi rëndësinë që shtetet anëtare të Bashkimit Europian, shtetet perëndimore në përgjithësi, të jenë më unike dhe më të qarta në këtë proces, në veçanti 5 shtetet e Kuintit, SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia.

“Përvoja e së kaluarës së afërt tregon se kur ka funksionuar ky unitet edhe skena politike në Kosovë ka qenë unike dhe e gatshme për të lëvizur përpara”, u shpreh presidenti Thaçi.

Para ambasadorëve dhe shefave të misioneve, presidenti Thaçi pohoi se ishte i befasuar për të keq kur ka mësuar që për takimin e Berlinit nuk kishte koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Si të arritura të takimit të Berlinit, presidenti Thaçi e vlerësoi të suksesshëm dakordimin e Kosovës dhe Serbisë që, pas insistimit të presidentit Macron, të mbahet takimi i ardhshëm në Paris, më 1 korrik.

“Shpresoj se takimi në Paris do të jetë më mirë i përgatitur, se vendet anëtare të BE-së do të jenë më unike, do të prezantojnë ide kreative si të lëvizet përpara dhe takimi do të ketë substancë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Duke folur për pjesëmarrjen e Kosovës në takimin e ftuar për 1 korrik në Paris, presidenti u shpreh se Kosova në këtë takim do të jetë unike dhe do të përfaqësohet nga liderët e institucioneve, nga Delegacioni Shtetëror për Dialogun dhe se platformë e delegacionit kosovar në këtë takim do të jetë rezoluta e Kuvendit të Kosovës.

Për pengesat në zhvillimin e dialogut, presidenti Thaçi theksoi se “nuk do të lejojmë që dialogu të kushtëzohet nga Serbia”, duke shtuar se taksa kundër prodhimeve të Serbisë do të mbetet në fuqi.

Në fund të takimit me ambasadorët dhe shefat e misioneve ndërkombëtare në Kosovë, presidenti Thaçi theksoi se zhgënjim në takimin e Berlinit ka qenë edhe mosuniteti i vendeve të BE-së rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.