Presidenti Thaçi: Shqipëria, atdheu me përmasa të pakufishme shpirtërore dhe solidare

Prishtinë, 18 janar 2020 - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë sot në akademinë me karakter falënderimi për Shqipërinë.

Presidenti Thaçi ka folur për lidhjen e fortë të shqiptarëve anekënd botës me atdheun e tyre, Shqipërinë, ndërsa është ndalur në veçanti tek lidhja mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku ka përmendur mbështetjen që i kanë dhënë njëra-tjetrës në kohët më të vështira..

“Sot këtu falënderojmë Shqipërinë e kryengritjeve të Hasan Prishtinës. Të strehimit të çetave të Azem Bejtës. Shqipërinë që e mbajti komandantin legjendar Adem Jasharin. Falënderojmë Shqipërinë, të cilën e patën busull idealistët e shumtë nga Kosova, si Adem Demaçi etj., që ideal jetësor e kishin çlirimin dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Shqipërinë që gjithmonë na bëri ta dimë se Jugosllavia dhe Serbia nuk janë atdheu ynë. Falënderojmë Shqipërinë që e mbrojti aq sa pat kapacitete të drejtën e shqiptarëve në Kosovë dhe vise të tjera. Shqipërinë që mbështeti Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Falënderojmë Shqipërinë që hapi dyert dhe zemrat në ditët e tragjedisë së Kosovës, në kulmin e luftës së vitit 1999. Pavarësisht kushteve të vështira ekonomike, mungesës së infrastrukturës, Shqipëria strehoi mbi gjysmë milioni shqiptarë të Kosovës. Kjo është madhështia e Shqipërisë. Ky është atdheu me përmasa të pakufishme shpirtërore dhe solidare. Kosova përjetë i është mirënjohëse Shqipërisë. Pa Shqipërinë nuk do të çlirohej Kosova”, deklaroi presidenti  Thaçi.

Kreu i shtetit tha se më 1999 ra përfundimisht kufiri më i blinduar në Evropë, pra ai midis tokave shqiptare. Ai e vlerësoi rrugën e kombit si një arterie të gjallë të qarkullimit intensiv të vlerave tona të përbashkëta materiale, kulturore dhe njerëzore.

Në këtë kontekst, presidenti Thaçi përmendi reagimin e shpejtë të qytetarëve të Kosovës në mbështetje të vëllezërve në Shqipëri me rastin e tërmetit të fundit në Durrës, si dëshmi për lidhjen e fortë emocionale dhe solidare mes qytetarëve të të dyja vendeve.

“Kosova me dhimbje përjetoi tërmetin e 26 nëntorit që shkoi. Zemrat dhe mendjet tona ishin me Shqipërinë. Bota u tregua solidare, siç tregohet gjithmonë në fatkeqësi të tilla natyrore. Por, ndjenjat tona qenë ndryshe, më të thella, më prekëse. Ushtarët e FSK-së u dëshmuan për përkushtim profesional dhe atdhetar. Qytetarët e Kosovës ofruan gjithçka për vëllezërit e tyre”, tha tutje presidenti Thaçi.

Ai theksoi se Kosova dhe Shqipëria e kanë perspektivën e përbashkët euroatlantike tek vlerat e botës demokratike perëndimore.

“Kosova dhe Shqipëria kanë vetëm një perspektivë: Atë euroatlantike. Aty ku historikisht na përket vendi. Te vlerat e botës demokratike perëndimore”, përfundoi presidenti Thaçi.