Presidenti Thaçi shpallet Qytetar Nderi i Bashkisë së Hasit

Bashkia e Hasit, 25 maj 2019 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një ceremoni zyrtare sot është shpallur “Qytetar Nderi” i Bashkisë së Hasit.

Ky titull nderi, sipas kryebashkiakut të Hasit, Adem Lala, i është ndarë presidentit Thaçi për kontributin e pazëvendësueshëm për çlirimin e trojeve shqiptare si lider politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe për vlerësimin që i ka dhënë popullit hasjan si mbështetës të denjë gjatë luftës së Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se ky është një moment i veçantë, sepse kur mendojmë ku ishim para 20 vjetësh dhe ku jemi sot, mund të themi lirisht se Kosova dhe shqiptarët, të pamundurën e bënë të mundur, si dhe robërinë, agresionin dhe gjenocidin e Serbisë arritën të ndalin dhe të fitojnë lirinë, ta çlirojnë Kosovën.

“Çlirimi i Kosovës është meritë e çdo qytetari të Kosovës. Është meritë e të gjithë njerëzve të Shqipërisë. Është meritë e kombit kudo që shqiptarët jetojnë në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Preshevë, në Mal të Zi dhe gjithë diasporën. Prandaj, çdo shqiptar duhet të ndjehet krenarë me kontributin për lirinë e Kosovës dhe të ndjehet çlirimtarë edhe ai që ishte në istikamet e luftës me pushkë në dorë, por edhe ai që ndau gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës kudo që jetonte”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit theksoi se qysh në moshë të re e njeh këtë trevë dhe i njeh familjet hasjane, edhe në Nikoliq, edhe në fshatrat përreth Krumë, Kukës e Tropojë.

“S’ka qenë gjendja sociale çfarë do duhej të ishte. Por, shpirti juaj ishte i madh dhe e luftonte dhe tejkalonte çdo pengesë për të ndihmuar çlirimin e Kosovës. Ju i dhatë 36 dëshmorë të kombit për çlirimin e Kosovës”, shtoi presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi ka thënë se shumë më i lehtë është realizimi i ëndrrës që të kemi një hapësirë pa kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë, se që ka qenë sfida e largimit të Serbisë nga Kosova.

“Kombi shqiptar kudo që jeton, kurrë nuk ka qenë më mirë, kurrë nuk ka qenë i organizuar më mirë. Shqipëria në NATO, Kosova e pavarur, shqiptarët në Maqedoni po e formësojnë atë shtet të NATO-s, gjithashtu edhe shqiptarët në Mal të Zi. Ju e dini botërisht dhe e ritheksoj edhe sot këtu në mesin e burrave dhe grave të Hasit, zotimin dhe përkushtimin tim jetësor që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkëngjiten territorit të Republikës së Kosovës, pa u cenuar asnjë centimetër i territorit të Republikës së Kosovës, as Trepça, as Ujmani, as Mitrovica, asnjë cep i territorit të Kosovës”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi i ka shprehur mirënjohje të lartë kryebashkiakut Lala dhe të gjithë hasjanëve për respektin e treguar.

“Përulem me respektin më të madh para çdo bashkëluftëtari këtu të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përulem me respektin më të madh për çdo familje në Krumë dhe Has, që ishin shndërruar në shtabe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Periudha më madhështore dhe krenare e kombit, projekti më i shenjtë i kombit tonë, më madhor kombëtar dhe politik ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, u shpreh ai.

Kreu i shtetit ka thënë se së pari nëpër Has ka kaluar edhe një nga shtetndërtuesit e shtetit shqiptar, Hasan Prishtina, por kanë kaluar edhe Azem Bejta dhe Shotë Galica, si dhe të gjithë çlirimtarët që kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në periudha të ndryshme të shekullit që lamë pas.