Presidenti Thaçi shpall listën e organizatave terroriste për vitin 2019

Prishtinë, 27 qershor 2019 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke marrë parasysh përkushtimin e Republikës së Kosovës që të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe Evropës, si dhe gatishmërinë që të jetë anëtare e denjë e familjes së shteteve paqedashëse në botë, sot ka nxjerr dekret që obligon institucionet e sigurisë të krijojnë listën vendore të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, të cilat do i nënshtrohen masave kufizuese në territorin e Republikës së Kosovës.

Deri në krijimin e listës vendore, sipas dekretit të presidentit Thaçi, institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës do ta zbatojnë Listën e Bashkimit Evropian të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, e cila është rifreskuar më 8 janar 2019.

Institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës obligohen që t’i ndërmarrin masat kufizuese përkatëse, në pajtim me praktikat ndërkombëtare, ndaj të gjithë personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në Listën e Bashkimit Evropian.

Republika e Kosovës ka dëshmuar në vazhdimësi përkrahje të pakompromis në luftën kundër ekstremizmit, radikalizmit dhe terrorizmit, duke dhënë shembull të mirë për tërë rajonin.

Si pjesë aktive e aleancës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, Republika e Kosovës do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë për eliminimin e çfarëdo rreziku që i kanoset Kosovës dhe partnerëve të saj.

Kjo është lista e Bashkimit Evropian në vitin 2019: https://eur-lex.europa.eu/legal-content/en/TXT/HTML/?uri=CELEX:32019D0025&from=EN