Presidenti Thaçi priti një delegacion nga komuniteti egjiptian, i uroi për 24 qershorin

Prishtinë, 23 qershor 2020 - Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka pritur një delegacion të komunitetit egjiptian të kryesuar nga deputeti Veton Berisha, për nder të Ditës Kombëtare të Egjiptianëve në Kosovë.

Presidenti Thaçi ka thënë se komuniteti egjiptian është pasuri e vendit dhe është sukses i madh që kemi arritur të kemi një harmoni kaq të madhe mes të gjitha komuniteteve në Kosovë.

“Çdo komunitet duhet të përkrahet në ruajtjen dhe forcimin e identitetit të vet. Por, duhet të bëhet më shumë për krijimin e kushteve sa më gjithëpërfshirëse të integrimit dhe punësimit të të gjithë pjesëtarëve të komuniteteve në shoqërinë kosovare”, ka thënë presidenti Thaçi.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti egjiptian, Veton Berisha, theksoi se Kosova ka krijuar bazë të lakmueshme ligjore, ku parashihen të drejta të shumta për komunitetet, por në praktikë po hasin në shumë vështirësi.

Duke e falënderuar presidentin Thaçi për përkrahjen e komunitetit egjiptian, deputeti Berisha kërkoi angazhim edhe më të madh për promovimin e të drejtave të komunitetit egjiptian në Kosovë.

Presidenti Thaçi u shpreh mirënjohës për kontributin e komunitetit egjiptian në shtetin tonë të ri.