Presidenti Thaçi priti në takim lamtumirës shefen e UNDP-së për Kosovë

Prishtinë, 14 maj 2019 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në takim lamtumirës shefen e UNDP-së në Kosovë, Alessandra Rocassalvo.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar shefen e deritashme të UNDP-së për përkrahjen e gjerë për Kosovën.

\"Jemi mirënjohës veçanërisht për projektet për mbështetjen e zhvillimit ekonomik, mbështetjen e bizneseve të vogla në veçanti. Por, edhe për punën në ballafaqimin me të kaluarën e dhimbshme\", u shpreh presidenti Thaçi.

Shefja e deritashme e UNDP-së, Alessandra Rocassalvo, theksoi se UNDP-ja mbetet e përkushtuar për ta përkrahur zhvillimin e përgjithshëm në Kosovë.

Presidenti Thaçi shtoi se UNDP-ja ka realizuar projekte që kanë kontribuar në ngritjen e cilësisë së qeverisjes dhe rritjen e aftësive për përpilim dhe implementim të politikave në institucionet qeverisëse.