Presidenti Thaçi priti në takim lamtumirës ambasadorin italian Piero Sardi

Prishtinë, 9 dhjetor 2019 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në takim lamtumirës Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Sardi, të cilit i shprehi mirënjohje për avancimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të Kosovës dhe Italisë, në kohën sa ka shërbyer si ambasador në Kosovë.

“Falënderim të veçantë e të sinqertë për angazhimin tuaj personal për avancimin e marrëdhënieve bilaterale në mes dy shteteve tona”, ka thënë presidenti Thaçi.

“Si Kosovë jemi mirënjohës për kontributin tuaj dhe për kontributin e përgjithshëm të Italisë në ndërtimin e paqes së qëndrueshme në Kosovë dhe në rajonin tonë”, shtoi ai.

Presidenti Thaçi u shpreh mirënjohës edhe për qëndrimin konsekuent të Italisë në raport me Kosovën dhe për përkrahjen e vazhdueshme.

“E çmojmë qëndrimin tuaj konsekuent dhe përkrahjen parimore”, u shpreh presidenti Thaçi, duke u fokusuar në çështjen e ndjeshme të liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Italia ka mbajtur qëndrim të njëjtë dhe përkrahës”, pohoi ai.

Në anën tjetër, ambasadori Sardi u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin që ka pasur me institucionet e Republikës së Kosovës sa ka shërbyer si Ambasador i Italisë, si dhe me rolin e Italisë për paqen dhe stabilitetin.

Presidenti Thaçi i ka uruar ambasadorit Sardi suksese në angazhimet e ardhshme profesionale.