Presidenti Thaçi priti kryediplomatin hungarez, biseduan për bashkëpunimin dhe zhvillimet në rajon

Prishtinë, 15 nëntor 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot Ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Péter Szijjártó, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin në mes dy vendeve dhe zhvillimet në rajon.

Presidenti Thaçi e falënderoi ministrin Szijjártó për përkrahjen e vazhdueshme të Hungarisë për Kosovën në çdo forum dhe u shpreh i kënaqur me zgjerimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve në të gjithë sektorët.

“Jemi mirënjohës për përkrahjen tuaj dhe për kontributin tuaj në ndërtimin e paqes së qëndrueshme në Kosovë dhe në rajon”, u shpreh presidenti Thaçi.

Duke folur për zhvillimet në Kosovë, presidenti Thaçi theksoi se priten vendime të rëndësishme në ditët në vijim, si ai për INTERPOL, për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe për themelimin e ushtrisë së Kosovës.

Ndërsa, duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, presidenti Thaçi u shpreh se është krijuar një momentum i ri dhe një pajtim global që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse të paqes.

Ministri i Jashtëm i Hungarisë u shpreh në mbështetje të zgjerimit të bashkëpunimit në mes dy vendeve dhe të përpjekjeve për të ndërtuar paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe në rajon.

“Jemi ndër kontingjentet më të mëdha në KFOR dhe do të rrisim edhe më shumë kontributin tonë, duke dëshmuar përkushtimin tonë për paqe në Kosovë dhe në rajon”, ka thënë kryediplomati Szijjártó.

Duke folur për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, ministri Szijjártó u shpreh se Hungaria e mbështet marrëveshjen që arrihet si rezultat i bisedimeve në mes dy vendeve.

Presidenti Thaçi në fund të takimit theksoi se marrëdhëniet në mes dy vendeve duhet të thellohen edhe më shumë.