Presidenti Thaçi pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i Kanadasë

Prishtinë, 18 shkurt – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadorit të Kanadasë, jo-rezident për Kosovë, Alan Bowman.

Presidenti Thaçi duke i uruar sukses në punën e re ambasadorit Bowman, shprehi falënderimin e institucioneve të Kosovës për përkrahjen që i ka dhënë Kanada shtetit të Kosovës.

“Kanada na ka përkrahur gjithmonë, veçanërisht në këto tri dekadat e fundit, duke pranuar refugjatë gjatë luftës dhe duke kontribuar në NATO, duke ndihmuar paqen dhe rindërtimin dhe duke na përkrahur tani në konsolidimin ndërkombëtar të shtetit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ambasadori Bowman u shpreh se Kanadaja përkrah Kosovën dhe përpjekjet për paqe dhe stabiliteti si dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës dhe të tërë rajonit.

Presidenti Thaçi konkludoi se Kanada është partner strategjik i Kosovës dhe kërkoi thellim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit në mes dy vendeve.