Presidenti Thaçi në Samitin e Zagrebit kërkon vendim për liberalizimin e vizave dhe statusin e kandidatit

Prishtinë, 06 maj 2020 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në Samitin e Zagrebit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, me temë perspektivën evropiane për rajonin dhe sfidat e shkaktuara nga pandemia Covid-19.

I pari i vendit ka theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.

“Para 20 vitesh në Samitin e Zagrebit iu ofrua perspektiva evropiane Kosovës dhe Ballkanit. Është e dhimbshme që sot të dëgjojmë përkushtimin e njëjtë, por pa vendim për liberalizimin e vizave, e madje pa statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, përkundër që i kemi përmbushur të gjitha kriteret”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit u ka bërë thirrje BE-së dhe shteteve anëtare që të tregojnë lidership dhe vullnet për ta afruar Kosovën me BE-në.

“BE-ja dhe shtetet e saj anëtare kanë fuqi që ta ndryshojnë këtë trend negativ. I bëjmë thirrje BE-së dhe shteteve anëtare të tregojnë lidership dhe vullnet për ta afruar Kosovën me BE-në”, ka thënë presidenti Thaçi.