Presidenti Thaçi në Bruksel: Lidershipi i ri i BE-së të dëshmojë se është partner i qëndrueshëm i rajonit

Bruksel, 03 dhjetor 2019 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot po qëndron në Bruksel, ku po merr pjesë në konferencën vjetore për Ballkanin Perëndimor të organizuar nga organizata “Miqtë e Evropës”.

Gjatë panelit për marrëdhëniet ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, presidenti Thaçi deklaroi se Kosova dhe rajoni gjenden në një udhëkryq politik dhe historik.

Presidenti Thaçi theksoi se perspektiva e qartë evropiane është kyçe për të garantuar paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon. Ai shtoi se lidershipi i ri i Bashkimit Evropian duhet të dëshmojë vizion, guxim dhe lidership, duke mbajtur premtimet ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe duke dëshmuar se janë partner i qëndrueshëm i shteteve të rajonit.

Shtyrja dhe vonimi i zgjerimit të BE-së, sipas presidentit Thaçi, në realitet është ftesë për rrëmujë të re në Ballkan.

“Derisa Strategjia për Zgjerimin e Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor krijoi bindjen se BE-ja po i jep shtytje vendimtare synimit të Kosovës, Malit të Zi, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës për t’u integruar në BE, ngjarjet që pasuan na përgënjeshtruan të gjithëve”, tha presidenti Thaçi.

Duke folur për perspektivën evropiane të Kosovës, presidenti Thaçi argumentoi se liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë sa më parë, duke qenë se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret dhe qytetarët e Kosovës po qëndrojnë të izoluar padrejtësisht.

Po ashtu, presidenti Thaçi bëri me dije që marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të sjellë njohje për Kosovën dhe perspektivë të qartë në rrugën euro-integruese.