Presidenti Thaçi në “Atlantic Council”: Kosova e gatshme për paqe të qëndrueshme

Uashington, 1 dhjetor 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e fundit të vizitës zyrtare në SHBA, ka mbajtur një ligjëratë publike në “Atlantic Council” në Uashington të SHBA-së, në të cilën ka folur për angazhimet për të arritur një marrëveshje paqësore me Serbinë, për të vënë paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti Thaçi është shprehur se ndonëse Kosova ka qenë e gatshme dhe ka kërkuar marrëveshje për paqe gjithmonë, që nga Rambujeja e pastaj në Vjenë, megjithatë Serbia nuk ka pranuar të bëjë paqe me Kosovën.

Por tash, sipas presidentit Thaçi, falë presionit ndërkombëtar edhe Serbia është e gatshme për një marrëveshje paqësore, gjithëpërfshirëse e përfundimtare, me Kosovën.

Në anën tjetër, ai ka thënë se Kosova ka mësuar nga e kaluara se nuk ka marrëveshje pa kompromise, por gjithashtu ka mësuar se nëse bashkëpunon me partnerët e vet ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara, kompromisi ka sjellë deri te realizimi i aspiratave të popullit të Kosovës.

“Nëse pyesni pse tani po kërkojmë marrëveshje paqësore, ju them se tash është momenti kur edhe Serbia është e gatshme për një marrëveshje të tillë”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Marrëveshja ende duket e largët, gati e pamundur”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se “megjithatë jam optimist se mund të arrihet”.

Duke ditur se audienca është e interesuar të dëgjojë edhe për çështjen në mes të Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi bëri të ditur se çështja e përcaktimit të kufirit në mes të Kosovës e Serbisë është vetëm një nga pikat e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

“Marrëveshja është gjithëpërfshirëse dhe do të mbyllë të gjitha çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë, që nga të pagjeturit e refugjatët e deri te çështja e pronës dhe të drejtave të komuniteteve”, ka thënë ai.

Ndërsa, duke folur për përparësitë që do të sjellë marrëveshja, presidenti Thaçi ka thënë se janë tri pikë të rëndësishme në të cilat që do të sjellë dobi marrëveshja paqësore.

“Do të ketë njohje të Kosovës nga Serbia. Kosova do të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara dhe do të forcojë perspektivën evropiane për të dyja vendet dhe tërë rajonin”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se “BE na ka bërë të qartë në Samitin e Sofjes se nuk do ta pranojë Ballkanin Perëndimor, përderisa vendet e Ballkanit Perëndimor nuk i mbyllin çështjet e hapura që kanë mes tyre”.

Por, nga marrëveshja paqësore, shtoi presidenti Thaçi, përfitojnë edhe BE-ja dhe SHBA-ja.

“Procesin do të vazhdojë ta udhëheq BE, por me mbështetje të plotë e të fuqishme të Shteteve të Bashkuara”, sqaroi presidenti Thaçi.

“Është krijuar një momentum i duhur për një marrëveshje paqësore. Ta shfrytëzojmë këtë mundësi”, ftoi presidenti Thaçi në fjalën e tij në “Atlantic Council”, në Uashington.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, më pas u është përgjigjur pyetjeve të të pranishmëve të cilët kërkuan të dëgjonin më shumë për çështjen e kufirit në mes të Kosovës e Serbisë, por edhe për tensionet e fundit në mes të dy vendeve.

Presidenti Thaçi përsëriti se çështja e kufirit do të jetë vetëm një nga pikat e marrëveshjes dhe shtoi se “nuk do të ketë as shkëmbim të territoreve dhe as ndarje të Kosovës”.

“Nuk do të ketë as kufi përgjatë vijave etnike dhe as shkëmbim të popullatës”, shtoi presidenti Thaçi.

Ndërsa, duke folur për tensionet në mes dy vendeve, presidenti Thaçi u shpreh se këto tensione e konfirmojnë edhe njëherë nevojën që të arrihet sa më shpejt një marrëveshje paqësore dhe t’i jepet fund “konfliktit shekullor në mes Kosovës e Serbisë”.

“Të mos merremi me të kaluarën, por të shikojmë kah e ardhmja. Nuk do ta harrojmë të kaluarën, por do të punojmë për një të ardhme në paqe e prosperitet për gjeneratat e reja”, përfundoi presidenti Thaçi.